Aleksandër Vuçiç nuk e ka pritur mirë njoftimin e Kfor-it se nuk do të lejojë ngritje të barrikadave në veri të Kosovës.

Për këtë arsye, presidenti serb paralajmëroi se dy apo tre ditët e ardhshme do t’i dërgojë një letër misionit të NATO-s në Kosovë, dhe nuk do të jetë një letër kortezie.

“Qëllimi juaj duhet të jetë mbrojtja e popullatës serbe, ata janë minoritet. Pse po i ndihmoni shqiptarët që të shtypin këtë minoritet. Pse, së bashku me shqiptarët po keqtrajtoni serbët, a është detyra juaj apo jo që të ndihmoni serbët”, tha Vuçic në Beograd gjatë një takimi të partisë së tij në pushtet, Partisë Përparimtare Serbe.

Dy ditë më parë, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ferenc Kajári, tha për televizionin publik të Kosovës se situata në veri të vendit është e qetë dhe se forcat ndërkombëtare nuk do të lejojnë më vendosjen e barrikadave. Misioni madje e ka bërë të qartë gatishmërinë e tij për të ndërhyrë në rast se rrezikohet stabiliteti në Kosovë. Vuçic thotë se letrën do ta nisë pasi të zhvillojë bisedime me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Presidenti serb shtoi se ai e interpreton ndryshe rolin e KFOR-it dhe NATO-s. Sipas tij, kriza nuk mund të të zgjidhet në këtë mënyrë, por vetëm përmes bisedimeve politike.

Vuçiç, po ashtu falënderoi ambasadorin e SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, për deklaratat e bëra një ditë më parë, kur diplomati amerikan tha se në raundin e fundit të dialogut në Bruksel, Serbia kishte shkuar e përgatitur, ndërsa palët e tjera jo.

Top Channel