Rusët e arrestuar “spiunë”? Ambasada ruse reagon për Top Channel: Institucionet shqiptare nuk po na përgjigjen

24/08/2022 16:07

Ambasada ruse në Tiranë iu është përgjigjur pyetjeve të gazetares së Top Channel Anila Hoxha, lidhur me incidentin e ndodhur të shtunën në Uzinën e Gramshit, ku u arrestuan dy shtetas të Rusisë dhe një ukrainas.

Ditën e djeshme, gazetarja Anila Hoxha përmes e-mail kërkoi shpjegime nga selia diplomatike e Rusisë në Tiranë, duke iu shtruar pyetjet: “A keni kontaktuar me shtetasit e arrestuar? A jeni vendosur në dijeni për akuzat ndaj të dyshuarve nga shteti shqiptar” dhe Cili është reagimi juaj për  incidentin e Gramshit? A janë spiunë tre të arrestuarit”.

Sot rreth orës 15:34, ambasada ruse iu është përgjigjur pyetjeve të Top Channel, ku thekson se nuk ka marrë asnjë informacion nga autoritetet zyrtare shqiptare lidhur me ndalimin e e shtetasve rusë të dyshuar për infiltrim më datë 20 gusht të këtij viti në Gramsh. Selia ruse thotë se i ka kërkuar Ministrisë së Jashtme shqiptare informacion për incidentin e ndodhur dhe akuzat e ngritura  ndaj rusëve, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Ambasada thekson se “nuk mund të mos ngjallë keqardhje fakti që pala shqiptare shmang zbatimin e dispozitave të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore 1963, e cila përcakton detyrimin e organeve kompetente të vendit pritës për të informuar menjëherë përfaqësuesit konsullorë për incidentet”.

Pasi nuk morëm asnjë informacion nga autoritetet zyrtare shqiptare lidhur me ndalimin e shtetasve rusë të dyshuar për infiltrim më datë 20 gusht të këtij viti në objektin ushtarak në qytetin e Gramshit, Ambasada Ruse në Shqipëri dërgoi më datë 22 gusht të këtij viti një notë në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë me kërkesën për të vënë në dijeni misionin diplomatik rus, në mënyrën e përcaktuar, për identitetin e të ndaluarve, vendndodhjen e tyre aktuale, thelbin e akuzave të ngritura, veprimet e mëtejshme procesuale ndaj tyre, si edhe mundësinë e organizimit të një takimi të përfaqësuesit të Degës Konsullore të Ambasadës me shtetasit rusë të ndaluar.

 Ambasada ka ndërmarrë gjithashtu në mënyrë të përsëritur përpjekje për t’u lidhur me MEPJ-në e Shqipërisë nëpërmjet telefonit apo postës elektronike. Megjithatë, deri në ditën e sotme të gjitha kërkesat tona kanë mbetur pa përgjigje. Përkatësisht, për rrethanat e incidentit, fatin e shtetasve rusë të ndaluar, si edhe akuzat e ngritura ndaj tyre ne mund të gjykojmë, bazuar vetëm në njoftimet e medias.

 Për sa më sipër, nuk mund të mos ngjallë keqardhje fakti që pala shqiptare shmang zbatimin e dispozitave të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore 1963, e cila përcakton detyrimin e organeve kompetente të vendit pritës për të informuar menjëherë përfaqësuesit konsullorë për ndalimin dhe incidente të tjera që ndodhin me shtetasit e vendit që ata përfaqësojnë. Me respekt, Ambasada Ruse nё Tiranё”- kjo është përgjigjja e Ambasadës ruse në Tiranë ndaj Top Channel.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel