Ballkani dhe Shkupi do të diskutojnë të enjten një biletë për në grupet e Conference League teksa skuadra nga Kosova niset e avantazhuar në këtë takim për shkak të triumfit 1-2 në ndeshjen e parë të luajtur në transfertën maqedonase.
Para sfidës së të enjtes, trajneri i Ballkanit, Ilir Daja foli në konferencë për shtyp ku theksoi se vetëm duke djersitur në fushë, mund të bëjnë ëndrrën realitet ndërsa shtoi se pavarësisht triumfit në ndeshjen e parë, shanset për kualifikim janë të barabarta.
“Mendojmë që nesër do të kemi ndeshje të vështirë. Nuk ka favorit direkt, dy skuadrat janë pothuajse të barabarta. Kemi avantazh sepse fituam ndeshjen e parë, shpresojmë të na mbështesin tifozët. Duhet të djersitemi nëse mendojmë t’i shtyjmë ëndrrat përpara. Nuk e kemi parashikuar që në start të arrijmë këtu. Gjithë kontingjenti është në dispozicion. Një lojtar të shohim si e ka gjendjen, ka qenë i diferencuar. Nuk dua ta publikoj dhe nuk dua të jap elemente shtesë. Është një nga mbrojtësit tanë në dyshim”, u shpreh Daja.
Top Channel