Kina kërkon marrëdhënie më të ngushta me Shqipërinë për të zgjeruar shtrirjen e ndikimit të Pekinit në vendin tonë lëvizje kjo që mund të cënojë sigurinë kombëtare të Shqipërisë.
Në këtë përfundim ka dalë raporti i Qendrës për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA) që analizon përpjekjet dhe operacionet e ndikimit kinez në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore.
Pekini po ndjek një plan afatgjatë me katër faza
Në fazën e parë, Partia Komuniste Kineze po përpiqet të konsolidojë një prani në ekonominë vendase duke nxitur eksportet dhe investimet kineze.
Qëllimi këtu është që ekonomia e Shqipërisë të bëhet gjithnjë e më e varur nga Kina, duke lejuar Pekinin të ndikojë në politikën shqiptare.
Në fazën e dytë, aktorët shtetërorë kinezë fokusohen në ndërtimin e themeleve për të lejuar Kinën të ushtrojë ndikim politik mbi liderët politikë dhe të biznesit shqiptarë.
Më të cenuarit ndaj narrativave të Kinës janë intelektualët më të vjetër shqiptarë, të cilët kishin shumë kontakte me Pekinin në vitet e Mao-Hoxhës.
Disa politikanë të njohur në Shqipëri kanë sharë edhe Perëndimin dhe i janë drejtuar Kinës. Konkretisht, ish presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha kanë kryer sulme politike, diplomatike dhe personale ndaj ambasadorit amerikan në Tiranë, thuhet në raport.
Të dy politikanët kanë ndikim mbi një bazë të gjerë mbështetësish. Personalitetet vendase shqiptare që shohin interesat e tyre politike në një aleancë me Pekinin në vend të Perëndimit, mund të funksionojnë si zëdhënës lokalë për interesat kineze.
Faza e tretë e strategjisë së Kinës është të shtrihet gjerësisht në shoqërinë shqiptare. Objektivi i kësaj faze është të nxisë një imazh pozitiv të Kinës në komunitetet shqiptare.
Faza e katërt dhe e fundit fokusohet në përpjekjet e autoriteteve kineze për të fituar një profil më të lartë publik dhe media.
Një studim në vitin 2020 numëroi më shumë se 1000 artikuj të lidhur me Kinën të botuar në vend gjatë pesë viteve. Gati gjysma, 47%, e portretizuan Kinën në një dritë pozitive, 38% ishin më negative dhe 15% u konsideruan neutrale.
Aktorët shtetërorë kinezë po zgjerojnë gjithashtu bashkëpunimin e tyre formal dhe informal me bashkitë në të gjithë vendin, kryesisht nëpërmjet një projekti binjakëzimi.
Ndërkohë Qeveria shqiptare përjashtoi Kina nga planet e saj të investimit në Portin e Durrësit si dhe nga rrjeti i saj 5G.
Top Channel