Pas rrëzimit të qeverisë së Dritan Abazoviçit me mocion mosbesimi në Malin e Zi, disa subjekte politike po kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, ndërsa të tjera shqyrtojnë formimin e qeverisë së re.
Për këtë të fundit ka disa opsione nga një qeveri partiake me një program konkret politik deri te një qeveri kalimtare, detyrë e së cilës do të ishte organizimi i zgjedhjeve. Formimi i një qeverie të re është opsion më real se zgjedhjet e reja, ndonëse të gjitha kombinimet që aktualisht janë në lojë, duken të vështira për t’u arritur, thotë për Radion Evropa e Lirë aktivisti dhe kolumnisti malazez, Stefan Gjukiç.
“Më reale është të formohet një qeveri e re, sado e pamundur të duket tani”, thotë ai. Qeveria e Abazoviçit do të funksionojë me mandat teknik deri në zgjedhjen e ekzekutivit të ri. Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e Millo Gjukanoviçit, e cila u bë shkas për rrëzimin e qeverisë së Abazoviçit, insiston në organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare. Ndërkohë mes URA-s dhe SNP-së në njërën anë dhe Demokratëve në anën tjetër është hapur një konflikt i ashpër politik, për shkak se Demokratët kanë votuar për rënien e Qeverisë së Abazoviçit.
Para votimit të mosbesimit në Kuvend, Abazoviç i ka porositur ish-partnerët e tij që “të mos e thërrasin në tryezën e bisedimeve” pas përmbysjes së Qeverisë së tij. Këto parti akuzojnë njëra-tjetrën për tradhti, për bashkëpunim me DPS-në dhe hedhin poshtë mundësinë për të rënë dakord për krijimin e një qeverie të re. Partitë më të vogla parlamentare, në anën tjetër, kërkojnë marrëveshje urgjente për datën e zgjedhjeve dhe për Qeverinë që do t’i përgatiste ato. Abazoviçi u rrëzua nga DPS-ja e Gjukanovicit, Demokratët opozitarë të Aleksa Beçiçit, disa parti më të vogla qytetare dhe disa parti të pakicave.
Top Channel