Princesha britanike Diana mund të ketë parashikuar vdekjen e saj dy vjet para se të ndodhte, në një zhvillim të ri të teorive mbi ngjarjen që shokoi botën, sipas një seriali të ri investigativ në rrjetin ‘Discovery+’, të quajtur “The Diana Investigations”.
Pretendimet i referohen të ashtuquajturës “Letra e Mishcon”, që është një shënim famëkeq i shkruar nga Victor Mishcon në vitin 1995 kur ai ishte këshilltar ligjor i princit Charles dhe çiftit.
Dokumentari me katër seri që po shfaqet në SHBA, do të vijë më vonë dhe në rrjetin britanik Channel 4 dhe i referohet asaj që njihet si ‘Mishcon Note’, ku janë shënimet e mbajtura nga Mishcon gjatë një takimi me princeshën Diana më 30 tetor 1995.
Aty ishte prezent dhe sekretari personal i Diana, Patrick Jephson, të cilët dëshmojnë se princesha tha se “do të bëhen përpjekje për ta hequr qafe deri në prill 1996.”
Burimet thonë gjithashtu se Diana besonte se kjo do të ndodhte me një aksident automobilistik, që ose do ta vriste ose do ta plagoste aq rende sa për ta bërë të duhet ‘e pabalancuar’.
Dhe në fakt Diana vdiq dy vjet më vonë në 31 gusht 1997 në një aksident në Paris, me atë që mediat quajnë rregullisht ‘partnerin’ e saj Dodi Al-Fayed dhe shoferin Henri Paul.
Paul u konsiderua si nën influencën e alkoolit dhe të qetësuesve, kur përplasi makinën e tij në një kollonë betoni me shpejtësi rreth 100 km në orë.
Por versioni zyrtar i ngjarjes ka hasur shpesh zëra polemikë të nxitur nga marrëdhënia antagoniste e Dianës me familjen mbretërore.
Në 2004, policia e Londrës publikoi një raport me rreth 800 faqe mbi vdekjen e princeshës Diana.
Në dokumentar Michael Mansfield, avokat i babait të Al-Fayed thotë: “Gjëja më e rëndësishme e raportit të policisë britanike, është fakti që përmend ‘Shënimet e Mishcon’, të cilat janë në kasafortat e shërbimeve të sigurisë Scotland Yard.”
“Lord Mishcon i ka dhënë letrën pararendësit tim, Paul Condon,” tha ish-kreu i policisë së Londrës John Stevens, për të përditshmen Daily Beast.
“Unë mësova për të kur u bëra vetë drejtues dhe kuptova se vetë Lord Mishcon nuk i jepte asaj shumë rëndësi”.
Ai shtoi se Stevens kishte intervistuar Mishcon për të marrë më shumë informacione mbi letrën.
“Takova Lord Mishcon një muaj para se të vdiste, në pranverën e 2005, dhe ai insistonte në faktin se ajo [Diana] ishte paranojake, por nuk i jepte shumë rëndësi. Ai ishte përfaqësuesi ligjor i tyre dhe kishte detyrime ndaj klientëve prandaj nuk gabonte kollaj”.
Top Channel