India shkarkon oficerët që lëshuan aksidentalisht raketën drejt Pakistanit (fotot)

23/08/2022 18:02

Forcat ajrore të Indisë thanë sot se qeveria ka shkarkuar tre oficerë të ushtrisë për lëshimin aksidental të një rakete drejt Pakistanit në mars, në një incident pa të lënduar që u trajtua me qetësi nga dy fqinjët me fuqi bërthamore.

Ekspertët ushtarakë kanë paralajmëruar në të kaluarën për rrezik aksidentesh dhe keqllogaritjesh mes dy vendeve që janë përfshirë tre herë në konflikt, si dhe në përplasje më të vogla për territorin e Kashmirit.

Raketa indiano-ruse BrahMos — e cila mund të mbajë dhe mbushje bërthamore, u lëshua më 9 mars, duke bërë që Pakistani të kërkonte përgjigje nga New Delhi për sigurinë e mekanizmave të parandalimit të lëshimeve aksidentale.

“Gjykata zbuloi devijim nga standardet e operimit prej tre oficerëve, çka solli lëshimin aksidental të raketës”, thuhej në deklaratën e forcave ajrore.

India fillimisht tha se një keqfunksionim “teknik” gjatë punës së mirëmbajtjes kishte shkaktuar lëshimin aksidental të raketës.

Sipas agjencive amerikane të armatimit, raketa BrahMos ka një rang goditjeje nga 300 deri në 500 kilometra dhe mund të godasë deri në brendësi të Pakistanit.

FOTO GALERI
1/3
Forcat ajrore të Indisë thanë sot se qeveria ka shkarkuar tre oficerë të ushtrisë për lëshimin aksidental të një rakete drejt Pakistanit

Top Channel