Partia humbi zgjedhjet lokale, dorëhiqet Zijadin Sela: Përgjegjësia, e gjitha e imja!

22/08/2022 14:46

Zijadin Sela ka vendosur të marrë përsipër të gjithë përgjegjësinë për disfatën e forcës së tij politike në zgjedhjet e 20 gushtit në Tetovë për asamblenë komunale, e për këtë arsye, kreu i Aleancës për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut njoftoi dorëheqjen nga ky post.

Partia e tij siguroi më pak se 800 vota, që do të thotë gati pesë herë më pak në krahasim me zgjedhjet lokale të vitit të kaluar për këshillin komunal. Në këtë mënyrë, ajo nuk arriti të siguronte asnjë vend në përbërjen e re të komunës që numëron 31 këshilltarë.

Nga ky moment marr përgjegjësinë dhe jap dorëheqjen e parevokueshme si kryetar partie. Në periudhën në vijim, organet më të larta të partisë duhet të vendosin se kush do të jetë ushtrues detyre i kryetarit të saj“- u shpreh Zijadin Sela.

Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, aleanca për shqiptarët ka tetë deputetë, përfshirë dhe vetë Selën. Zgjedhjet lokale në Tetovë u fituan nga Lëvizja Besa e cila do të ketë 12 këshilltarë, 11 Bashkimi Demokratik për Integrim, katër VMRO-DPMNE-ja, dy LSDM dhe nga një Partia Demokratike Shqiptare dhe Alternativa.

Kryetar i BDI-së, Ali Ahmeti gjithashtu ka pranuar disfatën e partisë së tij nga lëvizja Besa, por sipas Ahmetit “më me rëndësi se fitorja janë proceset demokratike në Maqedoninë e Veriut”. Pas fitores në zgjedhje, Lëvizja Besa dhe VMRO DPMNE-ja kanë kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Top Channel