“Nuk u prek siguria kombëtare”/ Dy ministrat Peleshi dhe Çuçi: Uzina e Çekinit është e deklasifikuar

22/08/2022 15:19

Ministri punëve të Brendshme Bledi Çuçi dhe ai i mbrojtjes Niko Peleshi u kujdesën të mos tregonin detaje nga hetimi deritanishëm për dy rusët dhe një ukrainas të dyshuar se kishin ardhur në Shqipëri me mision spiunazhi.

Të dy ministrat përçuan mesazhin se nuk ka vend për panik aq më tepër të jetë cenuar siguria kombëtare siç trumpetohet nga opozita. Ministri Bledi Çuçi tregoi se në këto hetime janë përfshirë edhe partnerët e Shqipërisë.

Lidhur me hetimin dua tju them si Ministër i Brendshëm që ka një hetim dhe procedim dhe akuzë nga prokuroria e Elbasanit. Është një ngjarje që nuk e kemi nënvlerësuar po e hetojmë me gjithë faktet dhe ngjarjet. Sesi kanë tentuar të hynë, pajisjet që kishin dhe mbi të gjitha për shkak të agresionit, këta janë marrë nën hetim nga prokuroria e Elbasanit. Hetimi do bëhet i plotë. Çdo të dhënë tjetër tja lëmë hetimit ta zbërthejë deri në fund”– tha Çuçi.

Aktiviteti në Gramsh i fundit ka qenë vitin e kaluar për demontim. Ky nuk është aktivitet i vërtetë si ai  i para viteve 90’. Në 92’ ka pushuar aktivitetin. Aty nuk prodhohen më lëndë plasëse, por asgjësohen. Vazhdojnë të ruhen nga personeli por aty nuk ka aktivitet ushtarak të mirëfilltë. Kjo nuk e relativizon aspak ngjarjen e fundit në Gramsh. Aty kemi të bëjmë me një grup të huajsh që nuk kanë marrë leje sipas procedurës. Njëri prej tyre ka kapërcyer rrethimin dhe ka reaguar në mënyrë të dhunshme. Mund të ket pasur synim për të devijuar nga një skenar tjetër. Kemi agjencitë e inteligjencës, policinë e shtetit dhe shumë struktura të tjera që përpunojnë çdo informacion, pas agresionit rus në Ukrainë. Jetojmë në një rajon delikat dhe kompleks.   Nuk përbën kërcënim të sigurisë kombëtare por kemi ushtrim dhune ndaj personave me uniformë. Aty kishte vlera materiale të cilat ruhen. Në këtë rast kemi agresion dhe dhunë. Ngjarja është në hetim, mund të jetë tentativë për të fshehur skenar tjetër. Mos harrojmë që ramë pre e sulmit të të dhënave”, tha Peleshi.

Ministri punëve të Brendshme Bledi Cuci e bëri të qartë se paçka këtij incidenti për momentin Shqipëria nuk ka ndërmend ta zhbëjë vendimin që lejon hyrjen e shtetasve rus në vendin tonë pa vizë për turizëm  gjatë sezonit të verës.

Top Channel