Ambasada gjermane në Prishtinë konfirmoi për mediat atje se Kancelari Olaf Scholz planifikon t’i ftojë Kryeministrin Kurti dhe Presidentin Vuçiç në Berlin për një takim të ndërmjetësuar prej tij.

Edhe pse Gjermania ka qenë mjaft aktive në çështjet e dialogut Kosovë-Serbi, në telefonatat që i shkonin Kryeministrit Albin Kurti e Presidentit serb, Aleksandër Vuçiçit në takimin e 18 gushtit, nuk përmendej Përfaqësuesi Special i Gjermanisë për dialogun Kosovë – Serbi, Manuel Sarrazin, as Berlinit në përgjithësi, kujton shtypi në Kosovë.

Ambasada theksoi se Gjermania vazhdon të jetë aktive ne këtë drejtim dhe mbetet ne kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit e caktuar nga BE-ja e të dërguarin e posaçëm amerikan, Gabriel Escobar. Qëllimi, sipas saj, është gjetja e një zgjidhjeje të besueshme të situatës, ndërsa rikujton ftesat e Scholz për Kurtin dhe Vuçiçin, e më pas edhe vizitën e tij në Prishtinë dhe Beograd.

Ambasada gjermane pohoi se kancelari ka nisur përgatitjet për një takim mes tyre të cilin do të ndërmjetësojë ai vetë këtë vjeshtë, në kuadër të Procesit të Berlinit.

Është e rëndësishme që të dyja palët të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të punojnë për një zgjidhje të zbatueshme. Një përshkallëzim i situatës dhe bllokim të rrugëve dhe protesta të dhunshme, nuk është në interes të askujt”, thuhet ne deklaratën e saj.

Kosova pritet ta kthejë në fuqi në 1 shtator vendimin e pezulluar për heqjen e targave të lëshuara nga Serbia dhe gjithashtu të vendosë reciprocitetin për dokumentet serbe. Vuçiç deklaroi më herët se shpreson në arritjen e një ujdie me Prishtinën përpara 1 shtatorit, në të kundërt tha ai, serbët e Kosovës mund të largohen nga të gjitha institucionet.

Top Channel