Një elektroshok të fuqishëm ,siç e karakterizojnë mediat vendase, kanë pësuar konsumatorët grekë orët e fundit pas publikimit të tarifave nominale të korrentin  për muajin shtator nga kompanitë e furnizimit dhe tregtisë së energjisë elektrike për muajin shtator.

Pesë prej kompanive ,midis të cilave më e fuqishmja, DEI ,që ka edhe aksione shtetërore, do të shesin 1 kilovat orë nga 68 deri ne 78 cent,ndërsa e gjashta mban çmimin mbi 1 euro. E thënë ndryshe rritja e tarifave në krahasim me muajin gusht shkon në 60%.

Faturat e energjisë elektrike kanë filluar të rriten ndjeshëm në Greqi prej muajit prill kur çmimi i korrentin në bursën europiane shkoi në 248 euro për 1 megavat orë dhe këtë muaj ka prekur shifrën prej 384 euro .Kjo ka detyruar qeverinë të subvencionojë kosnumatorët me 531 mln euro në muajin prill, 1,18 mld euro në maj dhe qershor, 1,1 mld euro në korrik dhe pritet që edhe në muajin gusht paketa subvencionuese qeveritare të arrijë në mbi 1,5 mld euro.

Vlen të përmendim se në bazë të kësaj ndihme çmimi që paguajnë konsumatorët për momentin shkon në gati 18 cent për kilovat orë, rreth dy ose tre herë më tepër se çmimet e vjetshme, ndërkohë që pa suvencionim do të ishte për gushtin rreth 50 cent dhe për shtatorin sipas çmimeve të reja nga 70-80 cent.

Por edhe pse me ndihmë nga shteti ,siç thekson gazeta greke Kathimerini , në këtë moment në vend ka fatura të papaguara me vlerë 1 miliard euro , janë mbi 45% e konsumatorëve që kanë detyrime financiare për korrentin, ndërsa mbi 60,000 qytetarë apo subjekte tregëtare ndërrojnë kompanitë e energjisë çdo muaj.

Pritet që çmimet përfundimtare të aplikueshme për konsumatorët për muajin shtator të varen nga shuma e subvencionit të shpallur nga qeveria së cilës do t’i duhet sërish të tërheqë shuma shtesë nga buxheti i shtetit në mënyrë që të rrisë subvencionet dhe të mos dëmtojë konsumatorët financiarisht në një periudhë delikate parazgjedhore që ka hyrë Greqia.

Top Channel