Sulmi në uzinën e armëve në Gramsh, Presidenti Begaj: Të zbardhet ngjarja!/ Reagojnë edhe deputetët e PD

21/08/2022 09:07

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka reaguar pas incidentit të ndodhur mbrëmjen e djeshme në uzinën e armëve në Gramsh, ku u lënduan dy ushtarë shqiptarë nga 2 rusë dhe një ukrainas.

Begaj thotë se po e ndjek me vëmendje rastin dhe është në komunikim me strukturat e sigurisë dhe FA të cilët i inkurajon për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe parandalimin e situatave që cënojnë sigurinë kombëtare.

Presidenti i shpreh mirënjohjen edhe dy ushtarëve shqiptarë, Albi Bici dhe Ardian Xhaka.

Ngjarjen në uzinën e Gramshit po e ndjek me shumë vëmendje. Jam në komunikim të vazhdueshëm me strukturat e sigurisë, Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, strukturat e shërbimeve informative dhe ato ligjzbatuese, të cilat i inkurajoj dhe mbështes për të vazhduar punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe parandalimin e çdo situate që cënon sigurinë kombëtare .
Mirënjohje për dy efektivët e Forcave të Armatosura, të cilëve u uroj shërim të shpejtë!”– shkruan Presidenti Begaj.

Ndërkohë ka pasur edhe reagime nga deputetë të Partisë Demokratike. Tabaku, Gështenja dhe Sula, teksa vlerësojnë dy ushtarët e lënduar dhe iu urojnë atyre shërim të shpejtë, kërkojnë reagim të shpejtë nga autoritetet shqiptare për të zbardhur ngjarjen.

Përgëzime ushtarëve tanë dhe shërim të shpejtë. Meritë e tyre që ngjarja e djeshme nuk eskaloi. Shqipëria është një vend I NATO dhe çdo përpjekje e huaj për të krijuar destabilizim në rajon është e patolerueshme. Ngjarja e djeshme në bazën ushtarake duhet zbardhur dhe ndjekur me kujdes. E domosdoshme që Ministri Mbrojtjes të informojë Komisionin e Sigurisë në Kuvend!”– shkruan Jorida Tabaku.

Ngjarja e rëndë në Uzinën e Gramshit duhet të shërbejë për të marrë seriozisht sigurinë kombëtare. Forcat e Sigurisë, nga Policia tek SHISH, të jenë në lartësinë e detyrës.  Shërim të shpejtë ushtarëve të lënduar”, shkruan Lefter Gështenja.

“Opinioni publik u trondit mbrëmë kur mediat raportuan se tre shtetas rusë dhe ukrainas që dyshohet se kishin qëllime spiunazhi u konfliktuan dhe rrezikuan jetën e dy ushtarëve shqiptarë në Uzinën e Armëve në Gramsh. Me këtë rast dua të shpreh vlerësimin më të madh për dy efektivët e Forcave të Armatosura dhe iu uroj atyre shërim të shpejtë dhe kthim shëndoshë e mirë pranë familjeve.  Megjithatë, disa konsiderata për këtë ngjarje të rëndë duhen trajtuar. Situata ketu është reflektim dhe i situatës së pasigurisë së jetës së civilëve pasi po ta kuptosh puna parandaluese në zbulimin e aktivitetit kriminal të elementëve kriminalë apo organizatave kriminale është shumë e dobët. Fakti që ka kaq shumë ngjarje të rënda kriminale dhe është e njëjta dinamikë në kryerjen e këtyre veprave të rënda penale tregon se puna parandaluese e organeve ligjz-batuese është inekzistente.  Si ka mundësi që aktiviteti i grupeve kriminale nuk është në mbikëqyerje të vazhdueshme duke e ditur që në çdo qytet apo zonë janë thuajse shumica të identifikueshëm për aktivitetin e tyre kriminal në fushën e narkotikëve apo të aktiviteteve të tjera kriminale dhe policia kriminale nuk ka informacion të sakta në operimin e këtyre grupeve kriminale? Nuk flasim për ngjarje të renda të papërgatitura në kohë e logjistikë të grupeve kriminale. Por për ngjarje të rënda kriminale të cilat kërkojnë kohë në përgatitjen e tyre si dhe kërkojnë një numër më të madh njerëzish e mjetesh për t’u kryer. Dhe më kryesorja është që një pjesë e elementeve kriminalë apo bandave kriminale gëzojnë mbështetje nga segmente të politikës në zonën ku operojnë si të atyre vendoreve dhe më lart në politikën qendrore. Apo të segmenteve të politizuara apo të korruptuara në Policinë e Shtetit që japin info dhe i ndihmojnë ndaj kundërshtarëve të njeri-tjetrit pra shesin informacione. Dhe se i japin mbrojtje për të bërë të mundur që ato të fshihen dhe madje të ushtrojnë aktivitetin e tyre kriminal si në vazhdimin e përfitimit të ardhurave nga trafiqet. Në të njëjtën kohë ka dyshime të forta që këto grupe kriminale përfitojnë fonde publike nëpërmjet mbështetjes së firmave të ndryshme duke i mbrojtur apo dhënë akses për bashkitë e territorit ku veprojnë apo më gjerë”- shkruan Dashnor Sula.

Top Channel