Pas incidentit me 38 emigrantët që mbetën të izoluar për shumë ditë në një ishull të vogël në lumin Evro në kufirin greko-turk, autoritetet greke po përshpejtojnë planin e tyre për zgjerimin e gardhit që ndan dy shtetet, edhe me 80 km të tjera.

Siç ka deklaruar ministri grek i Emigracionit Turqia i përdor emigrantët nga Siria apo vendet e tjera si mjet presioni ndaj Greqisë dhe BE.

Vetëm ditën e premte rojat kufitare kanë kapur mbi 1500 emigrantë që janë përpjekur të kalojnë lumin në vende të ndryshme tani që ujërat e tij kanë rënë duke krijuar shumë korridore në një terren të favorshëm për trafikantët.

Mediat greke kanë publikuar orët e fundit video nga telefonat celularë të emigrantëve të kapur ku duken se si grupe të vogla në anën turke drejtohen nga trafikantët për në pikat e veçanta të kufirit ,të pajisur edhe me barka të vogla .

Ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarit ka deklaruar se pritet vetëm një paketë ekonomike nga BE që do të përshpejtojë zgjerimin e gardhit.

Greqia e ka shtuar gardhin e vjetër prej 15 km edhe me 25 km të tjera pas incidenteve të vitit 2020 kur përballoi një grumbullim të madh me mbi 10000 emigrantë në pikën kufitare të Kipos ,të cilën Athina zyrtare e quajti një provokim të hapur, i kordinuar me tensionet në zonat detare të Egjeut dhe Mesdheut Lindor, që për pak mund të shkaktonin edhe përplasje ushtarake.

Prej atëherë fluksi i emigrantëve ra sidomos në kufijtë detarë, por javët e fundit ai është shtuar ndjeshëm në brigjet e lumit Evros që ndan dy vendet, të cilat akuzojnë njëra tjetrën shpesherë për të ashtuquajturat pushbacks, dmth dëbimet me forcë të emigrantëve përgjatë kufijve detarë apo tokësorë.

Top Channel