Te Ajaxi konsiderohej pasardhësi i De Ligt dhe ashtu si mbrojtësi i Bayernit të Mynihut, Perr Schuurs la “harkëtarët” për të zbarkuar në Piemonte, por këtë herë për të veshur fanellën e Torinos, jo të Juventusit.
Mbrojtësi 23-vjeçar ka mbërritur në Torino ku ka kryer vizitat mjekësore dhe ka firmosur kontratën që do ta lidhë me klubin “granata” për katër vitet e ardhshme, teksa misioni do të jetë aspak i lehtë, ai i zëvendësimit të Gleison Bremer, mbrojtës brazilian që pikërisht një muaj më parë u transferua te Juve për të mbuluar vendin e lënë bosh nga De Ligt.
Torino ishte prej kohësh në kërkim të një mbrojtësi për të zëvendësuar denjësisht Bremer dhe ka zgjedhur pikërisht Schuurs, për kartonin e të cilit do të paguajnë 9 milionë euro menjëherë dhe dy të tjera në formë bonusi, ndërsa Ajaxi ka ruajtur edhe 15% të kartonit në rast rishitjeje në të ardhmen.
Top Channel