Takimet mes Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës kanë përfunduar, ndërsa nuk ka asnjë sinjal deri më tani për arritjen e ndonjë marrëveshjeje.

Kreu i ekzekutivit të Kosovës ende nuk është deklaruar për media ndërsa pala serbe është larguar nga ndërtesa ku është mbajtur takimi.

Në kryeqendrën sot u mbajtën dy raunde të bisedimeve në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Fillimisht në orët e paradites është zhvilluar takimi i parë trepalësh pas të cilit, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrel dhe i dërguari i posaçëm për dialogun, Miroslav Lajcak, kanë takuar ndaras Kurtin dhe Vuçiçin.

Pas kësaj është zhvilluar edhe një takim në mes të Kosovës dhe Serbisë në praninë e përfaqësuesve të BE-së.

Pas takimit të fundit, presidenti i Serbisë është larguar nga ndërtesa e BE-së pa dhënë ndonjë deklaratë për media ndërsa shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç ka thënë para gazetarëve se shef i tij do të qëndrojë edhe për një kohë në Bruksel ndërsa publikut do t’i drejtohet të premten.

“Kompromis nuk do të ketë dhe askush nuk do të flasë nga delegacioni serb, ajo që është e rëndësishme është që ne luftuam për paqe, për stabilitet, për zgjidhje kompromisi dhe prandaj presidenti Aleksander Vuçiç do të qëndrojë edhe për një kohë këtu në Bruksel, pasi të kthehet në Beograd, presidenti Aleksander VuçiՕ do ti drejtohet publikut dhe do të jetë një nga fjalimet e tij më të rëndësishme për publikun, nesër pasdite ose në mbrëmje”, ka thënë Petkoviç.

Në ndërtesën ku janë mbajtur takimet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ka qëndruar edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Top Channel