Ka përfunduar raundi i dytë i bisedimeve trepalëshe ndërmjet përfaqësuesve të Bashkimit Evropian me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç në Bruksel.

Edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka zhvilluar takime të ndarë me kryeministrin e Kosovës dhe presidentin e Serbisë.

Pas takimit të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksander Vuçiç, drejtori i të ashtuquajturës zyrën për Kosovën, Petar Petkoviç në një prononcim të shkurtë për media tha se sa i përket këtij takimi presidentit serb do të dalë në konferencë për media.

“Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç nuk do t’i drejtohet gazetareve sot. Ai mbetet ende në Bruksel me shpresë se do të arrihet një kompromis. Ajo që është e rëndësishme, dua të them se ne jemi përpjekur për paqe, për stabilitet, për zgjidhje kompromisi, pikërisht për këto çështje, dhe për këto çështje presidenti Vuçiç mbetet edhe për një kohë në Bruksel. Nesër me t’u kthyer në Beograd, presidenti Vuçiç do t’i drejtohet opinionit. Kjo do të jetë një ndër paraqitjet më të rëndësishme.”, tha Petkoviç.

Më pas u pa Vuçiç duke u larguar nga vendi i takimit pa u prononcuar për media.

Takimi i parë i ditës së sotme u mbajt në orën 10:30, ndërsa më pas u raportua se Kurti dhe Vuçiç zhvilluan takime ndaras me përfaqësuesin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Grabriel Escobar.

Top Channel