PS nis punën për ligjin e spiunëve/ Në ligjin e dekriminalizimit do shtohet despiunizimi dhe dekomunistizimi

17/08/2022 15:02

Në sytë e publikut duket se shumica socialiste është me pushime vere për tu bërë gati për një shtator të nxehtë.

Por jo të gjithë socialistët këtë Gusht janë 100%  me pushime larg Tirane.

Nga një burim në PS, gazetari i “Top Channel” Muhamed Veliu, mëson se deputetët socialist të komisionit parlamentar të ligjeve të mbështetur nga një grup juristësh brenda PS, kanë zhvilluar gjatë këtyre dy javëve të para të gushtit disa mbledhje konsultative.

Qëllimi konsultimeve lidhet me amendimin e ligjit aktual të dekriminalizimit.

I njëjti burim thotë për “Top Channel” se amendimi synon përfshirjen e një neni me qëllim despiunizimin e parlamentit.

Synimi është ndalimi nga kandidimi të gjithë atyre që kanë dosje si bashkëpunëtor të ish sigurimit të shtetit.

Nëse socialistët nuk do të tërhiqen rrugës nga kjo nisëm e do ta miratojnë ndryshimin, atëherë i pari person që preket është ish presidenti Ilir Meta tashmë Kryetar i Partisë së Lirisë.

Gjithmonë nëse gjetjet e Autoritetit të Dosjeve, faktojnë se personi I.M që përmendet në dosje e Ligor Talos është Ilir Meta.

Këto gjetje të autoritetit të dosjeve dërguar Kuvendin disa javë më parë, kundërshtohen me forcë nga zoti Meta.

Amendimi mëson “Top Channel” do të ketë edhe një shtesë tjetër.

Bëhet fjalë për sanksionim në ligjin e dekriminalizimit edhe një neni të posaçëm për dekomunistizimin, ku pengohet kandidimi ish sekretarëve të Partisë së Punës.

Nëse amendimi do të votohet në parlament, atëherë në karriget e parlamentit pas zgjedhjeve të ardhshme të 2025, Sali Berisha mbetet jashtë kuvendit të Shqipërisë.

Për të përjashtuar Berishën si ish sekretar partie, socialistët duket se kanë si pengesë një vendim i gjykatës kushtetuese i 23 Marsit 2010, cili rrëzoi ligjin e atëhershëm te lustracionit miratuar 22 Dhjetor 2008.

Por socialistët thonë se për aq kohë sa parlamenti amendon ligjin e dekriminalizimi,  po ashtu bën edhe ndryshimin e duhur në Kushtetutë nuk ka asnjë pengesë në zbatim.

Këto dy shtesa në ligj, de-spiunizimi dhe dekomunistizimi shihen si të mjaftueshme prej socialistëve duke mos patur nevojë vendosjen e ndalimit edhe të personave shpallur NonGrata nga SHBA, Britania e Madhe dhe BE.

Palët e dëmtuara  nga këto ndryshime dyshja Berisha Meta, nuk do të kursen në çuarjen e këtyre ndryshimeve në Gjykatën Kushtetuese, pasi ndryshe nga ligji dekriminalizimit miratuar me konsensusin e të gjitha palëve, do të jenë të njëanshme me autorë PS e mbështetur edhe me votat e fraksionit Alibeaj për të bërë numrin magjik 84 për çimentimin në Kushtetutë.

Top Channel