“Liberalizimi i vizave, premtim i vonuar!”/ Presidenti Begaj: Shqipëria, zëdhënëse e interesave të Kosovës në OKB

15/08/2022 12:16

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj ndodhet sot në Kosovë për vizitën e parë jashtë shtetit që prej marrjes së mandatit, ku po mban një konferencë të përbashkët me homologen Osmani.

Në vizitën e tij të parë si president, Begaj i premtoj Kosovës se Shqipëria do të jetë një zë i fortë për ta përfaqësuar atë në arenën ndërkombëtare, aty ku Prishtina zyrtare nuk ka ende një ulëse krah shteteve të tjera të botës.

“Shqipëria mbështet fuqimisht anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe vlerëson se NATO mbetet një garant i paqes në rajon dhe aleat strategjik i Kosovës dhe Shqipërisë.  Ne mbështesim anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe vlerësojmë se aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës ishte vendimi i duhur. E sigurova presidenten Osmani se gjatë mandatit në Këshillin e Sigurimit dhe si anëtare e OKB-së, Shqipëria do të jetë zëdhënëse e interesave të Kosovës, përforcuese e zërit të saj, në promovimin e shtetit të pavarur të Kosovës, pathyeshmërinë e këtij fakti, njohjet e reja dhe rrugëtimin e saj euroatlantik”- tha Begaj.

Mos- liberalizimin e vizave për Kosovën, Begaj e quajti një premtim të vonuar, teksa tha se e siguroi presidenten Osmani se Shqipëria do të vijojë mbështetjen e saj për përmbylljen me lajm pozitiv, sa më parë të jetë e mundur.

“Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një premtim i vonuar dhe një e drejtë që ata duhet ta gëzojnë si të gjithë qytetarët e tjerë të rajonit, për të cilën unë e sigurova Presidenten Osmani se Shqipëria do të vijojë mbështetjen e saj për përmbylljen me lajm pozitiv, sa më parë të jetë e mundur”- shtoi Begaj.

Kreu i shtetit dha edhe një koment për raportin e Dick Marty duke thënë se UÇK është faqe e ndritur e historisë së përbashkët që bën krenar çdo shqiptar. Presidenti theksoi se raportet e trilluara nuk do njollosin gjakun e shqiptarëve.

“Së bashku fituam luftën, bashkë duhet të luftojmë për të ruajtur paqen. Ky është amaneti dhe trashëgimia solemne e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit; e Ibrahim Rugovës dhe Adem Jasharit; e çdo luftëtari të UCK-së, e çdo kulm-kulle në çdo pëllëmbë të kësaj toke që quhet Republika e Kosovës. Ibrahim Rugova ishte një udhëheqës vizionar e qëndrestar dhe themelues i pavarësisë së Kosovës. Vizioni i tij është shembull frymëzimi për të gjithë politikanët në Kosovë dhe në Shqipëri. UÇK-ja përbën një faqe të ndritur të historisë sonë të përbashkët, që bën krenar çdo shqiptar. Asnjë raport i trilluar që tenton të njollosë gjakun dhe vetëflijimin e shqiptarëve në mbrojtje të lirisë, flamurit dhe identitetit kombëtar nuk do të arrijë kurrë të zbehë këtë trashëgimi të lavdishme”- theksoi Begaj.

Top Channel