“Fitoi menjëherë dashurinë e tifozëve”, Milani “blindon” liderin e mbrojtjes

12/08/2022 22:05

Rinovim i rëndësishëm te Milani. Kampionët e Italisë kanë firmosur kontratën e re me Fikayo Tomorin, një nga pikat më të forta të skuadrës së Stefano Piolit.

Dëshira e klubit dhe e qendërmbrojtësit anglez ishte e përbashkët: të dy palët dëshironin vijimin e bashkëpunimit mes tyre, dhe ashtu ka ndodhur.

24-vjeçari ka firmosur deri në vitin 2027, kontratë nga e cila do të përfitojë 3.5 milionë euro në sezon. “AC Milan ka kënaqësinë të njoftojë rinovimin e kontratës së Fikayo Tomorit deri më 30 qershor 2027.

Me mbërritjen në Milano në janar 2021, Fikayo demonstroi menjëherë cilësitë e tij në fushë, duke fituar dashurinë e tifozëve kuqezi. Tomori dhe Milani do të vazhdojnë rrugëtimin e tyre së bashku”, lexohet në komunikatën zyrtare të kuqezinjve.

Tomori u huazua nga Chelsea te Milani në janarin e vitit 2021. Pak muaj në “San Siro” i bindën të gjithë për kualitetin e lartë të mbrojtësit dhe Milani e bëri të vetin për shumën e 28.8 milionë eurove.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA