Konflikti i ashpër politik ka shpërthyer rreth çështjes së përgjimeve telefonike nga Shërbimi i Inteligjencës greke ku midis të përgjuarve është edhe lideri i ri i partisë së socialistëve grekë Pasok-Lëvizja për Ndryshim Nikos Andrulakis.

Disa ditë pas këtij skandali që ka sjellë edhe dorëheqjen e kreut të Inteligjencës si dhe të shefit të zyrës së kreut të qeverisë, pritet sot me interes të madh deklarata e parë publike e kryeministrit.

Sipas burimeve qeveritare Kyriakos Mitsotakis pritet të flasë për gabimin e Shërbimit të Inteligjencës EYP që nuk ka njoftuar zyrën e tij për këtë çështje, por ai do të pranojë se ka pasur përgjegjësi politike dhe për këtë arsye u pranuan dy dorëheqjet , e sekretarit të përgjithshëm të kryeministrit Grigoris Dimitriadis dhe kreut të Shërbimit Panagiotis Kontoleon, ndërsa do të sigurojë opinionin publik se do të ketë zbardhje të plotë të këtij skandali.

Zëdhënësi i qeverisë sqaroi mëngjesin e sotëm se përgjimi i ligjshëm i telefonit të kreut të socialistëve për kohën që ishte vetëm eurodeputet , nuk ka lidhje me softwarin Predator që është përdorur në përgjime të tjera të paaprovuara dhe se bëhet fjalëpër dy raste të ndryshme.

“Ky është një rast jashtëzakonisht i rëndë dhe duhet sqaruar. Ne nuk duam të mbetet asnjë hije. Kemi pasur një ngjarje që është politikisht e patolerueshme. Nuk është normale në një demokraci që celulari i një eurodeputeti të monitorohet nga autoritetet e sigurisë kombëtare”- ka thënë zëdhënësi i qeverisë duke theksuar se kjo ngjarje nuk do të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.

Sipas raportit të fundit të Autoritetit të Sigurimit të Privatësisë së Komunikimeve që publikojnë mediat greke, në vitin 2021 janë lëshuar 15,475 urdhra prokuroriale në lidhje me heqjen e privatësisë në bisedat telefonike për arsye “sigurie kombëtare”. Në vitin 2020 numri përkatës ishte 13.751 , në vitin 2019 ishte 11.680, në 2018 ishte 11.113 dhe në 2017 ishte 7.182.

E thënë ndryshe vetëm vitin e kaluar miratoheshin më shumë se 40 kërkesa për përgjime në ditë për arsye të paqarta “sigurie kombëtare”, pra teorikisht kundër të dyshuarve në çështjet e terrorizmit ndërkombëtar, spiunazhit dhe përgjithësisht përballjes me armiqtë e jashtëm.

Çështja në fjalë që ka shkaktuar kritika të mëdha nga të gjitha partitë opozitare dhe ka tronditur opinionin publik është bërë edhe objekt i mediave më të mëdha botërore , ndërsa në artikullin e fundit The Guardian në një artikull të detajuar thekson se kryeministri grek është nën presion për përgjimet, se qeveria akuzohet për “praktika të errëta” dhe se skandali të kujton ditët më të këqija të vendit nën juntën ushtarake në vitet 60-70. Faqja britanike thekson gjithashtu se Kyriakos Mitsotakis po përballet me periudhën më të vështirë të mandatit të tij .

Top Channel