Forcat e armatosura izraelite kanë sulmuar gjatë natës objektiva të tjerë në Rripin e Gazës. Militantët palestinezë kanë qëlluar sërish me raketa në drejtim të Izraelit. Ekziston frika e një shkallëzimi të mëtejshëm.
Ushtria izraelite ka goditur disa objektiva në Rripin e Gazës natën e së dielës. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Ben Gantz ka urdhëruar forcat e armatosura të vazhdojnë goditjet operative, bëhet e ditur nga kjo ministri. Objektiv i sulmeve është organizata e Xhihadit Islamik, PIJ, forca e dytë më e madhe ushtarake pas Hamasit. Nga Egjipti, që përpiqet të ndërmjetësojë nuk ka pasur asnjë përgjigje.
Militantët palestinezë kanë reaguar me goditje masive me raketa. Sipas të dhënave palestineze nga Ministria e Shëndetësisë që nga fillimi i sulmeve ajrore izraelite të premten kanë humbur jetën 29 vetë, shkruan afp, të paktën 215 vetë janë plagosur. Mes viktimave, sipas të dhënave palestineze, ndodhen krahas anëtarëve të Xhihadit islamik edhe 6 fëmijë dhe 2 gra. Izraeli i hodhi poshtë raportimet palestineze, se ushtria izraelite është përgjegjëse për vdekjen e 5 fëmijëve dhe një të rrituri në kampin e refugjatëve, Xhabalia. “Bazuar në të dhënat ushtarake, duket se kjo ngjarje është pasojë e devijimit të një rakete të Xhihadit islamik”, thuhet nga pala izraelite.
Frika e shkallëzimit të situatës
Të premten ushtria izraelite filloi aksionin e zgjeruar ushtarak “Agimi” kundër Xhihadit islamik. Gjatë këtij aksioni u vra kreu ushtarak i Xhihadit islamik, Taisir al-Xhabari dhe anëtarë të tjerë të organizatës. Sipas ushtrisë izraelite, al-Xhabari ka qenë përgjegjës për sulmet me raketa nga bregu dhe sulme të planifikuara ndaj civilëve. Të dielën herët ushtria izraelite bëri të ditur, se ka kryer një goditje të suksesshme kundër Xhihadit islamik. “Udhëheqja e lartë e krahut ushtarak të Xhihadit islamik në Gaza është neutralizuar”, bëri të ditur drejtuesi i sektorit të operacioneve ushtarake, gjeneralmajori, Oded Basiok, pa detajuar, se çfarë do të thotë neutralizim.
Ekziston frika se të dielën, ditën e agjërimit hebre dhe atë të zisë Tisha BeAV, gjendja mund të shkallëzohet. Sirenat e alarmit u dëgjuan të dielën në mëngjes edhe në Jeruzalem. Besimtarët hebrenj përkujtojnë të dielën shkatërrimin e dy tempujve antikë në Jeruzalem. Hamasi bëri thirrje në mbrëmje për të mbrojtur xhaminë Al-Aksa në Malin e Tempullit dhe “t’u dilet ballë sulmeve izraelite kundër vendeve të shenjta”./ Deutsche Welle
Top Channel