Zhurmë për “Ramën”, heshtje për vete! Grupimi i Berishës reagon për raportin e DASH, por jo për pjesën ku akuzohet ish-kryeministri

06/08/2022 15:07

Partitë politike edhe këtë herë e lexuan në mënyra të ndryshme raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për investimet.

Selia blu, përmes Luçiano Boçit  i dha jehonë vetëm asaj pjese të raportit që  flet për përkeqësim e klimës  se biznesit duke fajësuar qeverinë.

“Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit mbi klimën e investimeve është një tjetër certifikatë turpi për Edi Ramën dhe qeverinë e tij. Konstatimet e shprehura aty mund të merren fare mirë si tekst për një manual të korrupsionit. Partia Demokratike vëren, me dhimbje dhe rikonfirmim se ato qe thuhen në raportin amerikan ne i trumbetojmë prej kaq kohësh nga kjo foltore”.

Por  raporti nuk shkruan vetëm për klimën e investimeve në vend,  por  flet edhe për vrasjen  e 4 protestuesve në 21 janar të 2011 si dhe dhunën që kulmoi  më 8 janar 2022 në selinë e Partisë Demokratike ku sërish protagonist ishte Sali Berisha, të cilin raporti nuk e përmend  me emër,  por i referohet si ish-lideri i shpallur non-grata:

“Dhuna politike është e rrallë, rastet më të fundit janë një përpjekje e udhëhequr nga një ish-lider shqiptar i shpallur non grata për korrupsion, për të shkelur selinë e partisë në janar 2022 që kërkonte ndërhyrjen e policisë. Më 21 janar 2011, forcat e sigurisë qëlluan dhe vranë katër protestues gjatë një demonstrate të dhunshme politike”.

Për këtë pjesë të raportit, deputeti pro Berishës nuk bëri asnjë koment.

 

Top Channel