Shefi i OKB-së: Njerëzimi po luan me armë të mbushur

06/08/2022 20:30

Qyteti japonez, Hiroshima, ka kujtuar më 6 gusht sulmin e parë me bombë atomike të 77 vjetëve më parë.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka shfrytëzuar këtë ceremoni për të paralajmëruar kundër krijimit të armëve bërthmore.

Ai ka folur për rreziqet që vijnë nga kriza në Ukrainë, në Lindje të Mesme, si dhe në Gadishullin Korean, raporton Radio Evropa e Lirë.

“Njerëzimi po luan me armë të mbushur”, ka thënë Guterres.

“Dhjetëra mijëra njerëz janë vrarë në këtë qytet sa hap e mbyll sytë. Gratë, fëmijët dhe burrat janë djegur në zjarr”, ka thënë ai.

Sot “krizat e lidhura me çështje bërthamore po përhapen shpejt – në Lindje të Mesme, në Gadishullin Korean dhe si pasojë e luftës së Rusisë në Ukrainë”, ka thënë mes tjerash Guterres.

“Ne duhet të pyesim se çfarë kemi mësuar nga tymi që është përhapur në formë kërpudhe në këtë qytet?”.

Para agimit, të mbijetuarit e sulmit dhe familjarët e tyre kanë dërguar lule dhe janë lutur në vendin përkujtimor në Hiroshima.

Rreth 140,000 njerëz kanë vdekur si pasojë e bombardimit të Hiroshimas nga Shtetet e Bashkuara gjatë Luftës së Dytë Botërore, përkatësisht më 6 gusht të vitit 1945.

Në këtë shifër përfshihen edhe personat që kanë vdekur pas ekspozimit në rrezatim.

Tri ditë më vonë, bomba e dytë atomike është hedhur në qytetin Nagasaki, duke lënë të vdekur 70,000 persona. Për pasojë, Japonia është dorëzuar më 15 gusht.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA