Arjan Tase nuk e ka kundërshtuar vendimin e dhënë nga gjykata e Vlorës për ta lënë në burg, pasi goditi për vdekje me gomone 7-vjeçaren në plazhin e Potamit.

Në seancë, ai ka ngushëlluar familjarët e Jonada Avdisë dhe i ka kërkuar falje Policisë së Shtetit.

“Nuk do të doja kurrsesi të kishte ndodhur ajo që ndodhi. Nuk dua të mbrohen dhe nuk do pretendoj asnjë rrethanë lehtësuese. Dua t’ju kërkoj ndjesë edhe të gjithë kolegëve të Policisë së Shtetit të prekur nga kjo situatë.  Nuk duhet të ndodhte kurrsesi,  por fati im i keq”.

Sipas Tases, në skaf kishte hipur vetëm nëna dhe djali i tij i vogël, ndërsa në det ishte gruaja me djalin e madh dhe motra me dy fëmijët.

Nëse skafi do ishte rregulluar në anën e kundërt do të kisha vrarë familjen time, ka treguar ish-polici.

Arjan  Tase nuk do të bëjë ankim ndaj masës së arrestit, ndërkohë që Prokuroria ka paraqitur një video në cilësinë e provës materiale ku do të shikohet lëvizja e mjetit lundrues.

Ish-shefi i komisariatit të Himarës, mori gomonen që ishte në pronësi të kushëririt të tij dhe po shëtiste në plazhin e Potamit tre ditë më parë. Ndonëse si polic, i dinte shumë mirë rregullat, ai guxoi duke kryer manovra në ujë dhe duke lëvizur me mjetin e lundrimit shumë pranë bregut, aty ku ndodheshin pushuesit.

Gabimi i tij i shkaktoi vdekjen një vajze që po lahej në ujë. Helikat e gomones dëmtuan rëndë Jonada Avdian, që vdiq në vend.

Policia e referoi ngjarjen në Prokurori si vrasje nga pakujdesia, por Prokuroria e rëndoi më tej akuzën, duke e cilësuar vrasje me dashje.

Top Channel