32-vjeçari nga Lushnja që akuzohet për heqje të paligjshme të lirisë dhe kanosje serioze ndaj një gruaje të re në Durrës u la në burg nga Gjykata.
Nëna 30-vjeçare e dy fëmijëve të mitur u denoncua si e humbur më 25 korrik nga familjarët, pasi nuk u kthye në banesë pas përfundimit të orarit të punës.
Një javë më pas, ajo dhe 32-vjeçari u gjetën në një godinë në Spitallë të Durrësit ku dyshohet se Musaku e ka mbajtur forcërisht, pas refuzimit të saj për bashkëjetesë.
Për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, seanca gjyqësore u zhvillua me dyer të mbyllura dhe në përfundim të saj, u deklarua se gjyqtari Petraq Curri vendosi ”arrest në burg” ndaj Musakut. Ai akuzohet për kryerjen disa veprave penale, “Heqja e paligjshme e lirisë”, ”Shtrëngimi apo pengimi për të bashkëjetuar ose për të lidhur apo zgjidhur martesë”, si dhe ”Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”.
Përveç këtyre, prokuroria ka ngritur edhe akuzën e ”Dhunës në familje”, të parashikuar nga neni 130/a/2 i Kodit Penal.
Në polici Musaku ka deklaruar se ka pasur njohje dhe pëlqim reciprok me të renë, por është kundërshtuar prej saj bashkëjetesa që ai i ka kërkuar. Pas kundërshtimit të saj, ai e ka mbajtur pa dëshirë në banesën e Spitallës, duke e kërcënuar, sipas deklarimeve të saj, me jetën e bashkëshortit dhe dy fëmijëve në rast se nuk do të pranonte të jetonin bashkë.
Nga hetimet e para rezulton se Musaku, person me precedentë penale në marrëdhënien me ish-bashkëshorten e tij, e ka mashtruar dhe joshur 30-vjeçaren dhe pasi kanë shkuar në banesë i ka kërkuar që të bashkëjetojnë.
Top Channel