“Janë zhdukur kamerat e sigurisë”, Berisha për tragjedinë e Potamit: Rama të shkarkojë 2 ministrat! Çuçi anëtar i shoqatës së trafikantëve

05/08/2022 12:33

Në konferencën e përjavshme për mediat, Sali Berisha kërkoi sërish dorëheqjen apo shkarkimin e dy ministrave Çuçi e Kumbaro, të cilët i konsideron si përgjegjës të tragjedisë në plazhin e Potamit, ku 7 vjecarja Jonada Avdia u godit për vdekje nga gomonia në breg të detit.

Berisha përsëriti edhe një herë qëndrimin e tij për këtë tragjedi të cilën e konsideron një krim shtetëror, ndërsa komentoi reagimin e ministrit Cuci lidhur me akuzat në adresë të tij.

“Gjithcka flet për një krim shtetëror. Skafi ishte me të gjitha ligjet i ndaluar të përdorej. Skafisti ishte i palicensuar për përdorimin e skafit. Skafi ishte i Adhurim Kushit, një nga cunat  e Ballës në Londër. Arjan Tase u rikthye në detyrë nga 2 ministrat nga Bledi Veltari dhe ministrja Kumbaro. Nuk plotësonte asnjë kusht për rikthimin e tij në detyrë përvec lidhjeve që kishte me dy ministrat.

Të dhëna të tjera janë shumë tronditëse. Ministri i brendshëm rezulton të jetë anëtar i një shoqate të mbushur me trafikantë dhe kontrabandistë. Pas 3 ditësh, Bledi veltari, në mënyrën më të pa pranueshme shkon në verbërinë e tij deri aty sa nuk gjen dy fjalë për të shprehur një ngushëllim familjes. Shiko deri ku arrin cnjerëzia e këtyre ministrave. Se cfarë e pengon atë të shprehë ngushëllim familjes oficeri i të cilit i vrau vajzën atë e di vetëm ky njeri.

Bën një status të gjatë, fillon e mbaron me Berishën, po nuk gjen një hapësirë për t’i dërguar një ngushëllim familjes.” -tha Berisha, ndërsa foli për përpjekje për manipul të vendit të ngjarjes, duke theksuar se janë janë zhdukur kamerat që regjistruan skenën e krimit.

“Janë bërë përpjekje të mëdha për të fshehur gjurmët e krimit. Jo vetëm autori tentoi të largohet, por janë zhdukur kamerat që regjistruan skenën e krimit. Kriminelë njësoj si Tase, menjëherë kanë marrë kamerat dhe i kanë zhdukur ato, por këtu ka dëshmitarë të shumtë. Me këtë rast i kërkoj Ramës, të shkarkojë menjëherë të dy ministrat, përgjegjës absolut për dramën që ndodhi në Potam. Është hapi më minimal, qytetarët janë të revoltuar. S’mund ta kapërcejë Rama me halucinacione. Me mbrojtjen që i bën krimit meriton një revoltë të madhe popullore, Rama në vend të një ndjese qindra herë para shqiptarëve, u deklaron se kemi organizuar sezonin më të përsosur. Qytetarët i kanë lënë qeverisë 72 orë afat për të reflektuar uroj të merren vendimet e duhura. Por natyrisht PD mbështet fuqishëm protestën e drejtë të qytetarëve për një krim të rëndë shtetëror.” -u shpreh Berisha.

Top Channel