Çuçi: S’kam skaf, po varkë me vela/ Ministri i Brendshëm: Përgjegjës për jetën e shtetasve, por jo baltën e Berishës

05/08/2022 15:45

Protestuesit i vendosën ultimatum 72 orë për dorëheqje e tij, por ministri i Brendshëm la të kuptohet se nuk po e vlerëson një opsion të tillë. 

Në reagimin e tij të parë pas tragjedisë së Himarës ministri Çuçi është i bindur se ka marrë masat  e duhura në radhët e policisë për vrasjen e 7-vjeçares Jonada Avida.

“Gjatë këtyre ditëve të rënda për çdo shqiptar, por veçanërisht për familjen e vajzës dhe për ne që jemi përgjegjës për sigurinë e jetës së tyre, jam përpjekur të flas me veprime konkrete kundër fajtorëve të asaj tragjedie, të cilët tani janë para drejtësisë, përfshirë gjithashtu dhe të gjithë zinxhirin komandues të Policisë Kufitare Vlorë. Mendoj se kjo është rruga e duhur për të respektuar dhimbjen e familjes së vajzës dhe të afërmve të saj. Rruga për t’u përballur me baltën e Sali Berishës është 30- vjeçare dhe nuk më sfidon”, tha Bledi Çuçi.

Sali Berisha e bën përgjegjës Çuçin jo vetëm për ngjarjen, por e akuzon edhe si pronar të një biznesi skafesh.

Duke hedhur poshtë pretendimet e Berishës, Ministri  i Brendshëm pranon se zotëron një shoqatë velierash për pasion,  por që sipas tij nuk ka lidhje as me skafe dhe as me gomone.

“Për respekt të opinionit publik, që me të drejtë është i ngarkuar nga tragjedia e vajzës 7-vjeçare dhe dhimbja e familjes së saj, dua të sqaroj se sajesat me emrin tim dhe një shoqatë velierash sportive që kam krijuar me miq pasionantë të tyre, nuk kanë lidhje me asnjë biznes dhe aq më tepër me skafe apo gomone”.

Ministri Çuçi akuzoi Berishës se po përdor ngjarjen tragjike për qëllime politike.

Top Channel