Arrest me burg për Arjan Tasen/ Ish policit që vrau 7 vjeçaren iu dha masa e sigurisë në Gjykatën e Vlorës

05/08/2022 15:02

Nën akuzën e vrasjes me dashje indirekte të vogëlushes Jonada Avdia, Gjykata e Vlorës vendosi arrest me burg per ish shefin e policisë Arjan Tase.

Komisari nuk kishte zgjedhur avokat personal dhe ndaj gjyqtarja i caktoi një avokat nga shteti. Burimet e Top Channel që ishin të pranishme brenda në seancë treguan se mbrojtësi dhe i akuzuari kërkuan falje publike për tragjedinë.

“Nuk e di se si mjeti më doli nga kontrolli, nuk e shpjegoj dot dhe nuk kisha asnjë plan të largohesha. Unë kisha mamanë aty dhe kurrë nuk doja që të ndodhte diçka e tillë”, ka deklaruar Tase që gjatë dhënies së gjeneraliteteve është përlotur tha gjykata e Vlorës për Top Channel.

Mësohet se ai ka shprehur ngushëllime për familjen e vajzës. Ndërkohë gjatë masës së sigurisë në gjykatën e Vlorës sot në mesditë nuk ishte asnjë familjar i Tases,  por vetëm forca të shumta policie.

Bëhet me dije nga një burim shumë i sigurtë se në fashikull është vendosur edhe një kamera sigurie e sekuestruar nga agjencia e mbikëqyrjes policore, nën një biznes aty pranë që tregon gjithë dinamikën e ngjarjes.

Tase u arrestua pas ngjarjes në Potam ku hyri në një zonë të ndaluar për mjetet motorike të ujit duke i shkaktuar vdekjen 7-vjeçares Jonada Avdia që po pushonte me prindërit.

Komisari Tase ishte kthyer në polici me urdhër të drejtorit të përgjithshëm të policisë Gledis Nano, mbasi kishte qenë i pezulluar për llogari të hetimeve për çështje droge.

Kur çëshjta u mbyll polici mori detyrën e shefit të policimit në komunitet deri ditën kur gjatë pushimeve vjetore ai përplasi fëmijën që po notonte me të atin

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA