Tragjedia në Potam/ Meta për ngushëllim në familjen Avdia: Vrasje e paralajmëruar, ministrat përgjegjës duhet të dorëhiqeshin

04/08/2022 13:21

Një rast i pangushëllueshëm, një tragjedi që nuk ka asnjë lloj justifikimi, kështu e konsideroi ish presidenti Ilir Meta, tragjedinë në Potam të Himarës, ku 7 vjecarja Jonada Avdia humbi jetën pasi u godit për vdekje nga gomonia në breg të detit.

Komentet Meta i bëri pas vizitës së ngushëllimit në familjen Avdia, mesditën e sotme, ku nuk kurseu as akuzat ndaj qeverisë duke e konsideruar ngjarjen një vrasje të paralajmëruar.

“Është një tragjedi që nuk ka asnjë lloj justifikimi. Është një rast i pangushëllueshëm, pavarësisht se jam i impresionuar nga forca e kësaj familje. Është një tragjedi që nuk ka asnjë lloj justifikimi.

Ekziston një legjislacion për sigurinë në plazhe që nuk është respektuar. Është një vrasje e paralajmëruar, kanë ndodhur raste të tilla edhe më parë. Një papërgjegjshëri totale.

Në momentet kur duhet të shfaqet pendesa, na shpallet se Shqipëria është sivjet e para në rajon. Nuk ka tallje e fyerje më të madhe për popullin që e ka përjetuar këtë tragjedi si një tragjedi të vetën.” tha Meta ndërsa shtoi se si minimum të gjithë ministrat përgjegjës duhet të kishin dhënë dorëheqjen ose duhet të ishin shkarkuar nga kryeministri, bashkë me kryetarin e Bashkisë ku ka ndodhur kjo ngjarje kaq e rëndë.

Top Channel