Qytetarët që po protestojnë këtë të enjte para Ministrisë së Brendshme për vdekjen tragjike të Jonadës në Potam të Himarës kanë tentuar të thyejnë kordonin e sigurisë dhe janë përplasur me policinë.
Protestuesit janë parë shumë të agravuar, ndërsa bëjnë thirrje për drejtësi dhe dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano dhe ministres së Turizmit, Mirela Kumbaro.
Qytetarë, Shoqëria Civile dhe politikanë të opozitës po protestojnë para Ministrisë së Brendshme nën moton “Nuk e vrau varka, por shteti”.
Kjo protestë vjen pas tragjedisë së ndodhur në plazhin e Potamit në Himarë, ku vogëlushja 7-vjeçare, Jonada Avdia, u aksidentua dhe humbi jetën nga një skaf që drejtohej nga komisari Arjan Tase.
Jonada kishte ardhur me pushime me prindërit e saj, të cilët prej më shumë se dy dekadash jetojnë në Angli.
Me qindra qytetarë iu bashkuan dy ditët e fundit dhimbjes së familjes Avdia, ndërkohë rrjetet sociale kanë përcjellë pa ndarë zemërimin dhe revoltën e madhe për atë tragjedi që i mori jetën vajzës.
Kujtojmë se Prokuroria e Vlorës kundërshtoi qëndrimin dhe referimin e policisë së Vlorës që e dorëzoi komisarin Arjan Tase për akuzën e vrasjes nga pakujdesia.
Top Channel