Ngushëllimet për Jonadën, politikanët dhe shefi i policisë në familjen e së miturës

04/08/2022 15:12

Dyert e familjes Avdia vijojnë të jenë të hapura edhe një ditë pasi përcollën për në banesën e fundit Jonadën, të voglën e tyre që humbi jetën pasi u godit për vdekje me gomone nga zyrtari i policisë Arjan Tase.

Jo vetëm  të afërm. Familja priti të gjithë, edhe zyrtare e politikanë. I pari që trokiti për  ngushëllim ishte Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Gledis Nano, i cili kërkoi mirëkuptim që vizita e tij të mos keqinterpretohet.

“Kam ardhur si prind dhe si qytetar dhe falënderoj familjen Avdia që i mirëpriti ngushëllimet e mia. Përveç se çfarë nga ndodhur dhe përgjegjësive i mirëkuptoj dhe i falënderoj që ngjyrime të caktuara i kanë lënë mënjanë dhe janë duke vuajtur të gjithë atë që ndodhi”, tha Gledis Nano.

Si qytetar shkoi edhe Sali Berisha, i cili sapo kaloi pragun e banesës  nuk i  kurseu akuzat për autorin e tragjedisë dhe shefin e tij politik, për të cilin kërkoi largimin nga detyra.

“Ky akt u krye nga një njeri i qeverisë. Komisari nuk është asgjë tjetër vetëm një xhelat. Ky xhelat s’bëri gjë tjetër veçse imitoi ministrin e tij me skaf. Ajo që e bën më të rëndë këtë dramë është se kryeministri i vendit, në vend që të shkarkojë ministrin e familjes Çuçi, i vërsulet gazetarëve dhe politikanëve dhe i krahason ata me vampirë politikë. Do jem në protestë si qytetar. Protesta është e qytetarëve”, u shpreh Sali Berisha.

Edhe pse e cilësoi si protestë të qytetarëve ishte Berisha ai që nxitoi të thërrasë një tubim menjëherë pas ngjarjes, por më pas u tërhoq duke marr një rol dytësor në organizimin e saj, të cilën e mori përsipër shoqëria civile. Në të njëjtën linjë me Berishën ishte edhe  Ilir Meta.

“Në vend që të shfaqet pendesa dhe reflektimi dhe marrja e vendimeve të qarta distancuese, nga drejtuesit e papërgjegjshëm dhe ministrat apo Bashkia përkatëse na shpallet se Shqipëria qenka e para në rajon sa i takon sigurisë në plazhe dhe turizmit. Nuk ka tallje dhe fyerje më të madhe. Në mënyrë që ti japim fund gjithë fatkeqësive dhe të kemi shtetin që parandalon të gjithë sot duhet të jemi në proteste. Minimumi  të gjithë ministrat përgjegjës duhet të kishin dhënë dorëheqjen ose duhet të ishin shkarkuar nga Kryeministri bashkë dhe me kryetarin e Bashkisë  Himarë, tha Ilir Meta.

Pas më shumë se 24 orësh për humbjen e vogëlushes 7-vjeçare reagoi edhe Mirela Kumbaro. Ministrja  e Turizmit zgjodhi të ngushëllojë familjen Avdia  përmes disa rreshtave në Twitter. Për tragjedinë fajësoi efektivin e policisë, për të cilin kërkoi dënim maksimal si Kryeministri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA