Pasi i paralajmëroi se do të vendosë në krye të bashkive në krizë financiare një administrator, Ministria e Financave ka shpallur konkursin për përzgjedhjen e tyre.
Në urdhrin e Financave përcaktohen kriteret që duhet të plotësojnë aplikantët që mund të vendosen si administratorë të përkohshëm në njësitë e qeverisjes vendore problematike.
Ato përfshijnë arsimin në shkenca ekonomike ose juridike, eksperiencë pune 10-vjeçarë në administratën publike si dhe njohuri të thelluara në menaxhimin e financave publike në nivel vendor.
Marrja nën administrim nga qeveria e njësive vendore që shkojnë në kolaps financiare është përcaktuar në një udhëzim të hershëm të vitit 2019 të Financave, por së fundmi duket se autoritetet po e çojnë përpara këtë zotim duke mos toleruar më kryebashkiakët që nuk ndryshojnë situatën financiare në njësitë që drejtojnë.
Në mbledhjen e pak kohëve më parë të kryeministrit Rama me kryebashkiakët e vendit, u la porosi gjetjen e burimeve të reja të të ardhurave, më shumë disiplinë financiare si dhe të punojnë me dixhitalizimin e shërbimeve.
Po ashtu, ata duhet të dorëzonin pranë ministrisë një plan të detajuar pë përmirësimin e financave të tyre deri më 15 korrik.
Aktualisht, sipas raportit të Ministrisë së Financave në situatë të vështirësi financiare serioze paraqiten Bashkia e Vorës dhe ajo e Kavajës, ndërsa problematike konstatohet situata edhe për 24 njësi të tjera vendore në të gjithë vendin.
Top Channel