Vdekja tragjike e 7-vjeçares në bregdetin e Himarës nxiti një lumë akuzash dhe kundër-akuzash të politikës.

Edi Rama  drejtoi gishtin drejt Sali Berishës dhe Ilir Metës, të cilët sipas tij po përdorin politikisht  vdekjen e  vogëlushes.

Rama: Sa për çetat e udhëhequra nga non-gratat dhe nga ata me identitet të dyfishtë që kërkojnë ta kthejnë këtë vdekje tragjike në motiv lufte politike, kjo s’është as e para as e fundit herë kur një fatkeqësi që trondit shoqërinë, ekspozon shëmtinë e pacipë të shpirtit të tyre!

Por, për Ilir Metën fajtori  dhe autori i tragjedisë  është Edi Rama.

Meta: Sot kërkon të bëj viktimën sepse autori i këtyre vrasjeve është ai me arrogancën e tij. Është ai që i jep siguri politike dhe garanci për pandëshkueshmëri të gjithë atyre që sillen në atë mënyrë siç e pamë dje.

Lista e përgjegjësisë sipas demokratëve duhet zgjeruar. Për ngjarjen e ndodhur opozita kërkon  kokën e dy ministrave,  Bledi Cudi dhe Mirela Kumbaro.

Vokshi: Ministria e Brendshme dhe strukturat policore janë përgjegjësit kryesorë për ngjarjet tragjike në bregdet.  Ministria e Turizmit nuk rezulton të ketë kryer monitorimet përkatëse për stacionet e plazhit dhe pikat specifike për sportet ujore.

Por, shkarkimet e bëra nga Gledis Nano,  për Edi Ramën janë të mjaftueshme, ndërsa mori në mbrojtje punën e dy ministrave të tij.

Rama: Ky është sezoni më i organizuar, më i rregullt e më i pastër turistik ndonjëherë falë punës së palodhur që kemi nisur qysh shtatorin e shkuar! Ishte deri dje edhe sezoni më i qetë e më i sigurtë. Shkarkimi i gjithë trupës së drejtorisë së kufirit Vlorë dhe vendosja e një fokusi të shtuar mbi qarkullimin ujor, janë hapat e duhur që do të pasohen nga hapa të tjerë, në kushtet kur rritja e përvitshme e numrit të mjeteve lundruese përbën një sfidë të vazhdueshme për të gjithë!

Kryeministri ripërsëriti thirrjen  ndëshkim të rëndë për autorit, ndërsa opozita thirrjen për protestë të enjten.

Top Channel