Kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg ka komunikuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç në lidhje me tensionet në veri të Kosovës.

Ai shprehet se të gjitha palët duhet të angazhohen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe të zgjidhin konfliktet përmes diplomacisë.

“Fola me Presidentin e Serbisë për tensionet në veri të Kosovës . Të gjitha palët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe të zgjidhin konfliktet përmes diplomacisë. KFOR-i qëndron i gatshëm të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti”, shkruan Stoltenberg në Twitter.

Kujtojmë se më 31 korrik u vendosën barrikada në veri të Kosovës nga serbët lokalë si kundërpërgjigje ndaj dy vendimeve të qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe që ishin parashikuar të nisnin zbatimin më 1 gusht.

Sipas vendimit, të gjithë qytetarët e Serbisë që do të hynin në Kosovë do të pajisen me një dokument për hyrje-dalje në territorin e Kosovës, I vlefshëm për 90 ditë.

Ndërkaq, vendimi i dytë për targat thotë se të gjithë personat që kanë makina me targa me akronim të qyteteve të Kosovës, që lëshohen nga Serbia, duhet t’i riregjistrojnë makinat e tyre.

Pas tensioneve në veri të Kosovës që pasoi takimin mes udhëheqësve të Kosovës me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, qeveria e vendosi të shtyjë zbatimin e vendimit për 30 ditë, kur të hiqeshin barrikadat.

Top Channel