Senatorja australiane nga popujt indigjenë Lidia Thorpe, u kritikua nga kolegët gjatë thënies së betimit për në zyrë, teksa fillimisht përshkroi mbretëreshën e Anglisë si “kolonizuese”.
Thorpe, senatore e partisë së Gjelbër për rajonin e Victoria, u detyrua të përsëriste betimin duke hequr ‘epitetet e shtuara’ teksa drejtuesit e seancës i thanë se “Nuk bëhesh senatore nëse nuk e thua si duhet”.
Thorpe kishte munguar javën e kaluar në parlament kur senatorët e tjerë bënë betimin kështu që duhet ta bënte dje.
Prandaj ajo hyri në dhomën e Senatit me grushtin e ngritur lart, ku iu kërkua të lexonte fjalët e betimit, të shkruara në pankartë.
Dhe ajo lexoi: “Unë qytetar sovran Lidia Thorpe, betohem sinqerisht e solemnisht për besnikëri ndaj madhërisë së saj kolonizuese Mbretëresha Elizabeta II”.
Por fjala “kolonizuese” nuk është në formulën e betimit.
Atëherë shefja laburiste e senatit, Sue Lines, ndërhyri për kritika duke i kërkuar Thorpe te lexonte modelin e shkruar.
“Ju kërkohet të lexoni betimin siç shkruhet në pankartë, recitoni ju lutem betimin”.
Thorpe u kthye dhe foli me senatorin prapa saj, i cili duket se i shpreh kritika, dhe më pas lexon betimin si duhet.
Thorpe shkruante më vonë në rrjetet sociale “nuk kemi hequr dorë nga sovraniteti” teksa shpërndante foton e betimit.
Kushtetuta e Australisë kërkon që “çdo senator e deputet para marrjes së vendit të bëjë e të nënshkruajë betimin”.
Por senatorja indigjene Thorpe nuk ishte gati të betohej për besnikëri ndaj mbretëreshës së Anglisë dhe për këtë mund të humbiste postin, thonë ekspertët vendas.
Një javë më herët opinionisti vendas Matt Thistlethwaite, tha se betimi për besnikëri ndaj Mbretëreshës ishte bërë diçka “arkaike dhe qesharake”.
Mbretëresha e Anglisë është formalisht “kryetare e shtetit” e Australisë, dhe e vendeve të tjera të bashkësisë ish-perandorake angleze të njohur si “Commonwealth”.
“Ajo nuk përfaqëson Australinë ku ne jetojmë prandaj ne duhet të nisim diskutimet për t’u bërë republikë dhe të kemi kreun tonë të shtetit, ne nuk jemi më britanikë”, shtonte ai.
Thorpe edhe muajin e kaluar kritikonte Australinë si një “projekt kolonial” duke thënë se flamuri i vendit nuk e përfaqësonte.
“Ajo përfaqëson kolonizimin e këtyre tokave, për këtë nuk ka pranim, nuk ka traktat dhe ky flamur mua nuk më përfaqëson”, tha ajo për mediat.
“Jam këtu për njerëzit e mi, dhe po sakrifikoj duke iu betuar për besnikëri kolonizueses, për të hyrë në parlament ku jam sot”, shtoi Thorpe.
Top Channel