“Mëngjes i trishtë, një kukull pret vajzën të luajë…”/ Një ditë pas tragjedisë në Potam, plazhi i braktisur

03/08/2022 10:14
Një ditë pas tragjedisë

Një kukull, një tufë lule, dhe rrobat e familjarëve ende në shenzllong…

Është kjo panorama e trishtë që vjen nga plazhi i Potamit, aty ku një ditë më parë një 7-vjeçare u godit për vdekje teksa lahej në breg të detit nga një gomone. Fotot janë publikuar nga gazetarja Esmeralda Keta e cila mesditën e djeshme ishte dëshmitare e ngjarjes së rëndë.

“Mëngjes i trishtë sot në Potam… Një kukull që pret vajzën e vogël të luajë me të, një lule për lulejetën e re që nuk e mbrojtëm dot, rrobat e familjarëve ende mbi shezlong dhe plazhi krejtësisht i braktisur… Ikën të gjithë, ikën të shpëtojnë fëmijët e tyre, sepse nuk ditëm t’u krijojmë një vend të sigurte. Sot të gjithë jemi fajtorë, e pafajshmja u bë engjëll”, shkruan ajo në një postim në “Facebook”.

Si ndodhi tragjedia në Potam?
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth mesditës, kur Arjan Tase përplasi me gomone vogëlushen përpara prindërve të saj.
Goditja ishte aq e fortë, sa 7-vjeçarja ndërroi jetë në vend, ajo u copëtua nga helikat e gomones që eci mbrapsht drejt bregut.

Qindra pushues të irrituar nga ngjarja sulmuan verbalisht Arjan Tasen, me detyrë Shef Seksioni i Policimit në Komunitet në Elbasan.
Efektivët e policisë arrestuan kolegun e tyre dhe e shoqëruan atë në komisariatin e policisë Himarë.

Ndërsa drejtori i përgjithshëm i policisë së Shtetit, Gledis Nano përjashtoi nga radhët e uniformave blu të Arjan Tases si dhe pezulloi nga detyra Drejtorin e Kufirit dhe Migracionit Vlorë, Shpëtim Hasanalia.

Kjo ndoshta ishte një ngjarje e paralajmëruar, pasi këtë verë janë shënuar disa incidente të ngjashme, për fat pa viktimat. Por gjithsesi, autoritet nuk e prishën terezinë dhe lejuan mjetet lundruese t’i afrohen bregut, edhe pse është e ndaluar me ligj.

Ligji parashikon që mjetet motorike të lundrojnë jo më pak se 300 metra nga bregu. Në rastin e Potamit, ligji nuk është respektuar, sepse gomonia i mori jetën vajzës së mitur vetëm pak metra nga bregut dhe në pamje shihet se mes çadrave të pushuesve, është stacioni nga ku administrohen gomonet dhe motorrët e ujit.

Policia si rregull ka detyrimin ta ndalojë këtë shkelje. Por shkelja mbi shkelje është se këtë e bëri pikërisht një polic, që kishte hequr uniformën përkohëshit për pushime. Ai i hipi gomones që duhet ta bllokonte dhe i mori jetën një 7-vjeçareje, që po lahej pak metra nga shezlongu i prindërve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA