Krerët e grupeve parlamentare të DPS, SDP-LP, SD, DUA kanë dorëzuar në Kuvendin malazez kërkesën e mocionit për mosbesim ndaj qeverisë së kryeministrit Dritan Abazoviç.

Kreu i klubit parlamentar të DPS-së, Danijel Zhivkoviç, ka bërë të ditur se Qeveria e Malit të Zi, pas nënshkrimit të Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe (KPS), ka humbur legjitimitetin e saj, për këtë arsye ka paraqitur këtë iniciativë në parlament.

Deputetja e SDP-së, Draginja Vuksanoviç-Stankoviç, tha se qeveria ka rënë, dhe se Abazovç i ka dhënë fund karrierës së tij politike dhe se me nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore me KPS-në, i ka shkaktuar dëme  Malit të Zi.

“Qeveria e re do të iniciojë një procedurë ligjore për anulimin e kontratës, sepse dispozitat e saj janë në kundërshtim me rregulloret ligjore të shtetit të Malit të Zi”, tha Vuksanoviç-Stankoviç.

“Le të mos gëzohen shumë, se ne do të mbrojmë interesat e Malit të Zi”, tha ajo duke theksuar se kjo qeveri nuk e ka përmbushur agjendën evropiane.

Me nënshkrimin e kontratës me KPS-në, siç tha ajo, Abazoviç e injoroi thirrjen e tyre për dialog.

“Ne ishim për nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore në përputhje me Kushtetutën. Që ajo të jetë rezultat i dialogut të të gjithëve. Abazoviç nuk dëgjoi askënd, përveç punëdhënësit të tij nga Beogradi – Aleksandar Vuçiç”, tha Vuksanoviq-Stankoviq.

DPS njoftoi më herët se nisma është nënshkruar nga DPS, SDP-LP, SD dhe DUA. Megjithatë, nisma nuk u nënshkrua nga Partia Boshnjake dhe Forca.

Siç thuhet në deklaratën e përbashkët të tyre, shkak për dorëzimin e propozimit është bërë mungesa e rezultateve të qeverisë krahasuar me prioritetet që u përcaktuan gjatë zgjedhjes së saj, “që kanë të bëjnë me reformën e sistemit gjyqësor, forcimin e sistemit të sundimit të ligjit, intensifikimin e procesit të integrimit evropian, konsolidimin e politikës ekonomike në vend dhe riorganizimin e sistemit të kujdesit shëndetësor në kushtet e pandemisë së koronavirusit e në vazhdim”.

“Për më tepër, sjellja injorante e kryeministrit Dritan Abazoviq ndaj pikëpamjeve të institucioneve më të rëndësishme shkencore në vend, si dhe ekspertëve të shquar dhe organizatave të shoqërisë civile, si dhe duke vënë në plan të parë marrëdhëniet me Kishën Ortodokse Serbe, ndërsa sjelljet e tij të papërgjegjshme dërgoi në ngritje të tensioneve në shoqëri dhe deri në humbjen e pariparueshme të kohës së nevojshme për përmbushje cilësore të detyrimeve nga agjenda evropiane, kjo qeveri e ka humbur legjitimitetin e saj”, thanë ata sipas  Rtcg.

Në fund të shpjegimit të propozimit, u konstatua se, “për të gjitha ato më sipër, dhe për të mbrojtur interesat jetike shtetërore të Malit të Zi dhe për të shpëtuar shansin që vendi ynë të ecë në rrugën e integrimeve evropiane, ishte e nevojshme që Qeveria e 43-të e Malit të Zi të dorëzohej një iniciativë për votëbesimin”, theksuan krerët e grupeve.

Kujtojmë se presidenti malazez, Milo Gjukanoviç e kishte paralajmëruar kryeministrin Dritan Abazoviç se do të shkarkohet në rast se e nënshkruan marrëveshjen me Kishën Ortodokse Serbe.

Abazoviç është në krye të qeverisë malazeze me votat e partisë së  presidentit të Malit të Zi, DPS, si dhe disa partive të minoriteteve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA