Agustin Sefa, 31-vjeçari i cili po pushonte në jug të vendit me të fejuarën e tij, i shpëtoi vdekjes pasi u godit nga një skaf buzë bregut të detit dhe që prej datës 16 korrik ai vijon të marrë trajtimin mjekësor në spitalin ushtarak në Tiranë sepse ka dëmtime të rënda.
Këto janë pamjet e trupit të lënduar të 31-vjeçarit në pavijonin e kirurgjisë në spitalin e Traumës.
Ai është fatlum që i ka mbijetuar aksidentit përgjatë pushimeve, por që në një intervistë ekskluzive për Top Channel tregon tmerrin e përjetuar nga dhimbjet e plagëve të rënda.
Gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar operacion pas operacioni, por që sërish për shkak të një pakujdesie jo nga ana e tij, organet e brendshme i ka të dëmtuara duke i pamundësuar ecjen.
Pranë shtratit i qëndron gjatë gjithë kohës e ëma, e cila përveç vështirësive ekonomike po vuan bashkë me dhimbjet e të birit.
“Unë kam qenë në gjendje kome, nuk mbaj mend asgjë , kam gati 10 ditë në gjendje kome edhe tani kam ardhur në vete. Por kam shumë dhimbje e tani do vijë ajo(mjekja) të më bëjë qetësues”, tha Agustini.
-Po e dashura juaj si është ?
“Ajo është pak më mirë , ka dalë nga spitali. Ndërsa unë kam gati 16 ditë jam dëmtuar në bark dhe në këmbë”, tha ai.
“Unë kam qenë në shtëpi, kur e morëm vesh e përjetuam shumë keq”, tha e ëma e Agustinit.
-A ju ka ardhur dikush nga institucionet?
“Nuk e di fare, unë kam ardhur veç këtu te çuni. Shteti i merr masat vetë , nuk di asnjë lloj gjëje!”, tha gruaja.
Për 10 ditë në gjendje kome, Agustini ia doli të ishte fatlum prej përplasjes nga gomonia pas manovrave të rrezikshme që kreu drejtuesi i mjetit dhe u rikthye në jetë.
Por pavarësisht se ishte ky rasti i parë i aksidenteve ujore gjatë këtij sezoni veror, nuk rezultoi të ishte i fundit. Përsëritja e ngjarjes me fund fatal për 7-vjeçaren, ka shqetësuar të riun i cili më mirë se kushdo e ka parë këtë tmerr me sytë e tij.
“Me thënë të drejtën kur kam parë ngjarjen e asaj gocës e kam hequr direkt, nuk e shihja dot. Më erdhi keq shumë”, u shpreh Agustini.
Top Channel