“Korridori Blu”/ Rama: Gati për të nisur një nga projektet më të rëndësishme në vend, afron ndjeshëm jugun me veriun e vendit

02/08/2022 11:05

Kryeministri i vendit Edi Rama, ka lajmëruar ditën e sotme, me anë të një konferencë bashkë me zëvëndëskryeministren Belinda Balluku, se gjithçka është gati dhe së shpejti do të nisë projekti me rëndësi madhore për infrastrukturën dhe ekonominë e vendit.

Rama u shpreh se “Korridori Blu” me aksin Milot-Fier, është një projekt jo vetëm kombëtar, po edhe rajonal e Europian, pjesë e European Connectivity Network.

Ky projekt I cili lidh Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë me unazën mesdhetare që sot për sot ndalet në jug të Kroacisë, por ndërkohë lehtëson pafundësisht edhe lidhjen me Kosovën, si edhe afron ndjeshëm Veriun me Jugun e Shqipërisë

Fjala e Ramës:

Ishte kjo një ditë shumë e rëndësishme për të qenë edhe personalisht i pranishëm sepse nuk bëhet fjalë për një nga veprat e infrastrukturës, por bëhet fjalë për një vepër madhore me një vepër madhore me një impakt të jashtëzakonshëm dhe me angazhimin e volumin më të madh financiar për realizimin e saj.

Është një vepër e shumë pritur prej shumë vitesh.

Është një vepër të cilën qysh në krye të herës, ne arritëm ta përfshijmë në rrjetin e qarkullimit europian.

Është një vepër që e futëm në kanalin e financimeve në kuadër të procesit të Berlinit, por koha që na mori ai proces në pritje të financimit ishte e gjatë dhe ne vendosëm pastaj të ecim vetë, ashtu sikundër fatmirësisht nuk shkoi e gjitha dëm sepse mundëm të marrim nga WBIF të gjithë asistencën e nevojshme, e cila sot vazhdon edhe me segmentin që për momentin është lënë mënjanë ai i Milot-Murriqan që sapo të përmbyllet konsulenca, do të hyjë dhe ai në procesin e garës dhe do të kthehet dhe ai segment në një kantier dhe kështu do të kemi që nga hyrja në Murriqan dhe deri poshtë në Fier të gjithë boshtin e Korridorit Blu që do t’i shërbejë drejtpërdrejt të gjitha zonave pa diskutim që janë rreth këtij korridori, do t’i shërbejë drejtpërdrejtë turizmit dhe bujqësisë, do t’i shërbejë drejtpërdrejtë një transformimi të mëtejshëm ekonomik dhe social të vendit tonë dhe do t’i shërbejë edhe vetë lëvizjes në unazën më të madhe që është unaza në fjalë e Mesdheut.

Do ta bëjë Shqipërinë shumë më të aksesueshme nga pikëpamja turistike, përmes tokës, gjë që sot për shembull prej shumë vitesh tanimë, Kroacia e gëzon gjerësisht si rezultat i pozicionit të saj, por edhe si rezultat i infrastrukturës që ka dhe pa diskutim do t’i japi fund të gjithë kësaj periudhe dhjetëra vjeçare vështirësish në këtë aks, sidomos nga kthesa e Kamzës apo Kashari lart në Milot, në Lezhë dhe drejt Shkodrës ku standardet janë përmirësuar pa diskutim, por prapë problemet e sigurisë janë evidente.

Do të jetë siç tha ministrja një aks me certifikatë sigurie të Bashkimit Europian, në sensin që nuk do ketë nga ato trampolinat, pishinat, depot, magazinat, palmat, makinat që pozojnë në dy anët e rrugës, duke krijuar një rrezik permanent, por do të jetë një aks shpejtësie, i cili patjetër do të jetë një vlerë e shtuar edhe si pjesë e lëvizjes nga rruga e Kombit, drejt poshtë për në Durrës apo edhe më tej për në Vlorë.

Nuk është i gjithë segmenti. Është një pjesë e tij, siç e tha dhe ministrja, siç e patë dhe në projeksion segmenti pastaj vazhdon më tej në pjesën juglindore të vendit, por është pjesa më strategjike dhe është pjesa më kritike e korridorit blu.

Unë jam shumë besimplotë që gara do të jetë e suksesshme nga mënyra si është organizuar është sikundër më vjen shumë mirë që ta kujtoj sot që të gjitha ato që u thanë për gjoja një tender të parafabrikuar, për gjoja një kompani që e kishte fituar përpara, për gjoja një korrupsion të madh e bla, bla, bla rezultuan të gjitha një vrimë e madhe në ujë sepse faktikisht gara u bë me një rigorozitet të atillë që edhe një kompani shumë e madhe që u paraqit, nuk arriti dot ta merrte për shkak se oferta e saj nuk ishte në interes të vendit dhe në interes të pjesës që ne përfaqësojmë, që është interesi i publikut me afate jashtëzakonisht të gjata dhe me disa kërkesa që ne nuk mund t’i plotësonim.

E fundit që kam është që me këtë korridor mbyllet një pjesë e madhe e rrjetit kryesor të Shqipërisë ndërkohë që ne po punojmë edhe për projektin e zgjerimit të rrugës nga Elbasani në Qafë-Thanë dhe po punojmë përsëri me Bashkimin Europian dhe Planin Ekonomik të Investimeve që Korridori i 8-të jetë një realitet në pikëpamje të çdo standardi, jo thjeshtë një rrugë e hapur për të kaluar, siç është sot, dhe faza tjetër është faza e hekurudhave.

Aeroportet tanimë janë të gjitha në proces, aeroportin e Rinasit e kemi në një nivel tjetër nga pikëpamja e kapaciteteve përpunuese qysh prej pak ditësh, fare pak ditësh, aeroportin e Vlorës e kemi kantier me një ecuri fantastike dhe lajmi i mirë është që Aeroporti i Mynih, i cili është dhe operatori i parashikuar për Vlorën, ka lancuar një tender të vetin atje përsa i përket gjithë mjeteve të logjistikës së operimit, gjë që konfirmon, nga njëra anë, kredibilitetin e plotë të projektit, konfirmon standardet e projektit sepse Aeroporti i Mynih nuk mund të hyjë në një projekt që shkel standarde edhe europiane edhe mjedisore, sikundër është përfolur kot më kot apo edhe të transparencës, dhe konfirmon, po ashtu, suksesin e garantuar të atij projekti sepse Aeroporti i Mynihut nuk mund të futet në një projekt që është një ecje pa sëpatë në pyll, kur i thonë fjalës.

Aeroporti i Kukësit ka filluar të rritet ngadalë, por në mënyrë të qëndrueshme.

Planet për aeroportin e Kukësit janë të qarta dhe ne jemi të bindur që në një kohë të arsyeshme do jetë një pikë referimi për gjithë zonën që prek, qoftë anën tonë në Shqipëri, qoftë anën e Kosovës, madje edhe më gjerë se kaq, përveç atyre shërbimeve që do të ofrojë.

Së shpejti do hapet gara për aeroportin e Sarandës.

Pra, me portat e qiellit ne kompletojmë të gjithë rrjetin që kemi paraparë.

Me infrastrukturën rrugore, kjo vepër pothuajse e mbyll të gjithën në akset kryesore e pastaj mbetet për t’u futur më thellë në territore, ashtu sikundër mbetet për t’u rritur kapacitetet mirëmbajtëse dhe cilësinë në tërësi të mirëmbajtjes, por nuk mbeten investime shumë madhore, masivisht, si ato që kemi përballuar.

Thuhet shumë shpesh që “Rrugët u bënë”. Jo, nuk u bënë, faktikisht. Një pjesë e rrugëve, për të cilat u tha se u bënë, thjeshtë u tenderuan dhe u lëshuan rrugëve, por si vepra ato kanë mbaruar dhe po mbarojnë, ende sot që flasim, në këtë fazë. Tjetër është të hapësh gara me projekte mizerabël, që të detyrojnë pastaj të rikthehesh disa herë, të rrisësh financimin, të dalësh përtej parashikimeve buxhetore me shumëfish, siç ndodhi me rrugën e Elbasanit, dhe tjetër është të bësh vepra nga fillimi në fund.

Tjetra fazë është faza e hekurudhave që fillon, faktikisht, kemi filluar me Tiranë-Durrës, por që kemi shumë për të bërë aty, qoftë me hekurudhën drejt Hanit të Hotit e qoftë me hekurudhën Durrës-Prishtinë dhe qoftë dhe me hekurudhën e Korridorit të 8-të.

Këto janë ambicie, por jo ambicie thjeshtë në hava, por ambicie që po materializohen hap pas hapi në procese të ndryshme, procese studimesh dhe projektimesh, procese fizibiliteti, procese të realizimit të investimeve.

Shumë faleminderit dhe uroj dhe shpresoj që brenda një kohe të arsyeshme të jemi në kantier edhe në Korridorin Blu.

 

Top Channel