Zjarri masiv që përfshiu qindra ha kullotë dhe pyll prralli mbi malin e Sopotit zbriti gjatë natës mbi rrugën e vjetër Gjirokastër -Delvinë, duke shkaktuar një situatë alarmante të flakëve që rrezikuan të hyjnë në zonën e mbrojtur të Syrit të Kaltër.
Rreth orës 2 të mëngjesit zjarrfikësit e Finiqit dhe Delvinës u mbështetën nga rreth 60 forca të ushtrisë si dhe zjarrfikës nga Gjirokastra, Dropulli e Tepelena.
Lartësia e flakëve ka qenë mbi 10 m në disa segmente duke rrezikuar edhe jetën e zjarrfikësve. Zjarri u izolua vetëm me ndërhyrjen fizike të efektivëve dhe banorëve pasi ndërhyrja me mjete ishte e pamundur plr shkak të terrenit.
Aktualisht krahu perëndimor i avancimit të zjarrit është shuar duke larguar rrezikun edhe për fshatrat Muzinë dhe Pecë.
Zjarri përparoi me shpejtësi i shtyrë edhe nga era për në veri duke përshkuar brezaret e Pecës dhe aktualisht është duke u djegur një sipërfaqe e gjerë kullote mbi fshatin Kardhikaq.
Që prej orës 5 të mëngjesit ka filluar edhe ndërhyrja me helikopterë nga ajri. Kjo ndërhyrje po pengon zbritjen e zjarrit në fshatin Kardhikaq. Në një situatë të ngjashme 3 vite më parë në këtë fshat u dogjën 3 banesa dhe dhjetëra ha ullinj e vreshta.
Komandanti i operacionit konfirmoi se tashmë është rimarrë kontrolli por zjarri do të vazhdojë të djegë kullota në lartësitë e Sopotit pasi ndërhyrja është e pamundur për shkak të thyerjes së terrenit.
Vitin e kaluar në zonën e Finiqit u regjistruan rreth 1300 vatra zjarri dhe nuk u ndalua asnjë person përgjegjës.
Aktualisht zjarri masiv që po vijon prej dy ditësh nisi mbi fshatin Frashtan pasi barinjtë i kanë vënë zjarrin një kullote që kishin marrë me qera nga bashkia e Dropullit. Megjithëse në këtë rast kemi një piknisje të qartë të zjarrit ende nuk ka të ndaluar.
Bilanci paraprak konfirmon rreth 400 ha kullotë dhe më shumë se 50 ha pyll të djegur.
Top Channel