Protestues opozitarë pushtojnë sërish parlamentin në zonën e fortifikuar të Bagdadit (video-fotot)

30/07/2022 19:23

Mbështetës të klerikut të fuqishëm iraken Moqtada Sadr depërtuan në zonën e fortifikuar “Të Gjelbër” dhe pushtuan sërish parlamentin, duke thelluar krizën politike në vend.

Kjo është hera e dytë që protestuesit kanë hyrë me forcë në dhomën legjislative, disa muaj pas zgjedhjeve që nuk sollën krijimin e qeverisë.

Koalicioni i Sadr rezultoi fraksioni më i madh parlamentar por nuk arriti të merrte maxhorancën dhe ngërçi politik në vend vazhdon.

Mbështetësit e tij gjithashtu kundërshtojnë ashpër kandidaturën për kryeministër të ish-guvernatorit  Mohammed al-Sudani.

Demonstruesit me flamurë irakenë dhe foto të klerikut opozitar qëndronin brenda parlamentit duke demonstruar, tha rrjeti francez AFP.

Vërshimi i tyre erdhi pasi mijëra njerëz ishin akumuluar para urës dhe barrikadave të hyrjes në “Zonën e Gjelbër” ku gjenden ndërtesat administrative dhe ambasadat e huaja.

Forcat e sigurisë përdorën gaz lotsjellës por nuk arritën të shpërndanin protestuesit e zemëruar nga gjendja e rëndë ekonomike në vend.

Disa prej demonstruesve shihej që ishin plagosur teksa largoheshin nga protestues të tjerë prej vendngjarjes.

“I gjithë populli është me Moqtada,” brohorisnin ata, duke iu referuar fituesit të më shumë votave në zgjedhjet e fundit në tetor.

FOTO GALERI
1/3
Vërshimi i tyre erdhi pasi mijëra njerëz ishin akumuluar para urës dhe barrikadave të hyrjes në “Zonën e Gjelbër”

Top Channel