Integrimi i Shqipërisë në BE/ Ngrihet Këshilli Ndërministror për çështjet europiane

30/07/2022 12:05

Kryeministri Rama ka mbajtur sot një konferencë për mediat me ekipin e negociatave me Bashkimin Evropian, ku morën pjesë ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka dhe ministrja e Shtetit, njëkohësisht Kryenegociatore Majlinda Dhuka.

Teksa prezantoi kryenegociatoren e re, Rama tha se do të ngrihet Këshilli Ndërministror për çështjet europiane, i cili do të jetë në funskion të diskutimit të brendshëm në ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Mendoj që është e udhës që ne t’i japim jetë një Këshilli Ndërministror për çështjet europiane, që do duhet të garantojë një vazhdimësi në diskutimin e brendshëm, lidhur me qoftë qëndrimet, qoftë dhe ecurinë e procesit të negociatave sepse, thashë, ky është një proces kaq intensiv, kaq sfidues dhe kërkon një thellësi kaq të madhe të ndërveprimit dhe koordinimit, saqë praktikisht nëse ne nuk bëjmë nje ekstra sforco që të gjithë do ta kemi të pamundur që të japim rezultatet e dëshiruara dhe ky këshill do të na ndihmojë”- tha Rama.

Kreu i qeverisë tha se Këshilli do të mblidhet me kërkesë të Ministres së Shtetit sa herë që është e nevojshme që të behet një bilanc apo të adresohen problematika të caktuara.

“Do të jetë një Këshill që do të jetë në përgjithesi Këshilli juaj, në sensin që do të mblidhet në mënyrë periodike me kërkesë të Ministres së Shtetit sa herë që është e nevojshme që të behet një bilanc apo të adresohen problematika të caktuara, apo të nënvizohen dobësi të caktuara, të cilat kërkojnë një adresim të natyrës politike dhe po ashtu do të mblidhet në raste të caktuara me kërkese të Ministres për Europën dhe Punët e Jashtme apo me kërkesë timen për ndonjë çështje të veçantë të natyrës edhe politike që kërkon një konsultim edhe me ju, sipas sektorëve të caktuar, por si të thuash është një forum i brendshëm për të pasur sensin e ecurisë së gjërave, sepse është shumë e rëndësishme që të mos punoni vetëm si ishuj të izoluar nga njeri-tjetri. Natyrisht që nuk i takon dhe mbase as nuk i intereson në të përditshmen e punës së vet Adeas të di se cfarë bën Reida, ose Reida se çfarë bën Adea, por është shumë e nevojshme që secili prej jush ta ketë vizionin e së tërës dhe ta shohë hartën e shtrirjes së kësaj armate të vogël në territorin e legjislacionit europian dhe ecurinë apo problematikat në këtë shtrirje. Është shume e rëndësishme.

Dhe është shume e rëndësishme që të krijohet dhe sensi i skuadrës. Ne jemi një skuadër që ka një horizont përpara, ka një qëllim të madh të përbashkët dhe ka objektiva të  përveçëm, por të gjitha objektivat e përveçëm mblidhen bashkë në një qëllim të përbashkët dhe na çojnë në rezultate sipas asaj që ne jemi në gjendje të japim.

E kemi ne në dorë pjesën tonë, ne nuk kemi në dore pjesën tjetër, por pjesën tonë  e kemi ne në dorë dhe nga ne varet shumë sa shpejt ecim”- tha Rama.

Top Channel