Zjarret në Dropull po shkaktojnë një situatë kritike pasi flakët po përparojnë drejt zonave të banuara.
Një banor Frashtanit, Kristaq Ziso, është gjendur i asfiksuar në hyrje të fshatit, pasi flakët përparuan nga maja e malit drejt zonave të banuara. Ai është dërguar në gjendje të rënduar shëndetësore në spitalin e Gjirokastrës dhe pritet të transportohet për trajtim më të specializuar drejt spitalit të Janinës.
Burime nga vendngjarja konfirmojnë se era e fortë ka avancuar flakët që po depërtojnë në afërsi të oborreve të banesave në tre fshatra të Dropullit. Disa kasolle në periferi të fshatit Lugar janë djegur.
Zjarri është gati 100 metra larg zonës se banuar në fshatrat Lugar dhe Goricë. Forcat zjarrfikëse dhe banorët e këtyre fshatrave si dhe vullnetarë të zonës po punojnë për shuarjen e flakëve.
Ndërkohë pas mungesës së helikopterit nga Tirana, është kërkuar ndihmë nga Greqia ku pritet të mbërrijë një helikopter për të shuar zjarret.
Kryetari i bashkisë Dropull, Dhimitër Toli thotë se ende nuk ka një bilanc të dëmeve të shkaktuar nga zjarret, por pranon se flakët kanë përfshirë një sipërfaqe shumë të madhe.
“Për momentin është më qetë. Zjarri u përhap në të gjitha fshatrat njëherësh. Era ka bërë të pamundur që forcat zjarrfikëse të mundësonin fikjen e zjarrit. Ne kemi marrë të gjitha masat.
Në fshatin Lugar, zjarri ishte dy metër larg një banese. E shpëtuam atë banesë. Tani kemi një rreze tjetër në fshatin Grapsh që vazhdon. Nuk ka ende një bilanc, por janë djegur kullotat dhe një stan në fshatin Goricë. Është një sipërfaqe shumë e madhe”.
Toli nuk përjashton mundësinë se zjarret mund të jenë të qëllimshme, por shton se ende nuk ka të dyshuar.
Top Channel