Prokuroria e Posaçme kërkon dënimin me një vit burg për kandidatin për deputet të LSI-së në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, Etjon Joka, i cili u filmua teksa jepte para në  këmbim të shtitblerjes së votave.

Kujtojmë se pamjet filmike në të cilat shfaqej kandidati i LSI-së i renditur i 22-i në listat e Tiranës, u publikuan një vit më parë nga Top News.

Po ashtu 1 vit u kërkua edhe për Elis Babo personi që kishte kryer filmimin dhe të cilit i janë dhënë parat nga Joka. Ndërkohë vetë ish-kandidati për deputet nëpërmjet avokatit të tij deklaroi se gjithçka ka qenë e stisur nga kundërshtarët e tij politikë si Alqi Bllako i arrestuar për inceneratorët.

Avokati i Jokës paraqiti prova dhe fakte në lidhje me videon, telefonin që është bëre filmimi dhe se kujt i është dorëzuar ajo, prova sipas tyre lidhen me kundërshtarët e Jokës në zgjedhje.

Ndërkohë i pandehuri tjetër Elis Babo  nëpërmjet avokatit të tij pretendoi se e ka bërë filmimin për të denoncuar korrupsionin në zgjedhje edhe pse ishte në kushte të vështira ekonomike.

“328/b I Kodit Penal.

Në median audiovizive, kryesisht në stacionin televiziv “Top neës” në datën 23 Prill 2021, janë shfaqur disa pamje televizive, në të cilat rezultojnë dy shtetas, nga hetimi rezulton të jenë të pandehurit Elis Babo dhe Etion Joka, ky i fundit kandidat për deputet në Qarkun e Tiranës, si përfaqësues i forcës politike Lëvizja Socialiste për Integrim, i renditur në numrin rendor 22 në listën shumë emërore. Në pamjet filmike rezulton se shtetasi Etion Joka, i premton dhe i jep shuma parashë shtetasit Elis Babo, me qëllim që ky i fundit të mund të sigurojë vota në favor të tij.

Po kështu nga përmbajtja e pamjeve filmike, rezulton se në një moment shtetasi Etion Joka i jep një kartmonedhë prerje 100  (njëqind) Dollarëshe shtetasit Elis Babo.

Ndodhur në  këto rrethana,  është regjistruar kryesisht nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, procedimi penal në fjalë.

Po kështu nga ana e policisë gjyqësore në Sektorin Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, është thirrur dhe më pas është ndaluar me inicjativë shtetasi Elis Babo, ndërkohë që është thirrur për tu pyetur dhe kushëriri i tij, djali i xhaxhait shtetasi Edison Babo.

Në deklarimet e shtetasit Elis Babo, rezulton se ai e ka njohur shtetasin Etion Joka, disa muaj më parë, dhe i ka prezantuar kushëriri i tij shtetasi Edison Babo. Ai ka  mësuar se Etioni ishte kandidat për deputet në Qarkun e Tiranës, si përfaqësues i forcës politike Lëvizja Socialiste për Integrim, i renditur në numrin 22 në listën shumë emërore. Më pas midis tyre ka lindur dhe një lloj shoqërie, duke u shpeshtuar takimet, në të cilat flitej dhe për politikë, për mënyrën e zhvillimit të fushatës elektorale. Elisi nuk ka qenë në dijeni të pamjeve filmike të transmetuara, por ka mësuar vetëm në ditën e ngjarjes pasi i ka parë ato në media. Në njërën nga filmimet ai deklaron se është ai vetë, kushëriri i tij Edisoni, një shtetas tjetër të cilin ai e  ka komshi dhe të cilin e njeh me emrin “Lame” apo “Islam”. Sipas tij video mund të jetë regjistruar në ambientet e “Bar Soho” ose “Bar Trinity” në zonën e Bërrylit, dhe nuk mund të përcaktojë kohën kur janë realizuar pamjet, por kanë qenë në Muajin Prill 2021. Ai pranon faktin që ka marrë nga Etioni një shumë prej 100 (njëqind) dollare, por nuk pranon faktin që kjo shumë të jetë dhënë në shkëmbim të premtimit për të votuar Etionin, por për shkak se familja e Elisit ka qenë në gjendje të vështirë ekonomike. Po kështu i pyetur gjate hetimit në  praninë e mbrojtësit të tij, i pandehuri Elis Babo, e ka pranuar dhe faktin dhe fajësinë.

Në dëshminë e dëshmitarit Edison Babo, rezulton se e njeh shtetasin Etion Joka pasi banojnë në një lagje, ndërkohë që të pandehurin Elis Babo e ka djalë xhaxhai. Etioni ishte kandidat për deputet kanë biseduar për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Etioni i ka kërkuar ndihmë, duke qenë se njiheshin edhe nga fakti që banonin në të njëjtën zonë.

Sipas tij ai është takuar me Etionin dhe Elisin, por ky i fundit ka qenë në atë kohë në vështirësi ekonomike, dhe vazhdimisht i kërkonte shuma parashë dhe Edisonit. Sipas tij, në ditën e ngjarjes, i ka telefonuar Elisi dhe i ka thënë që Etioni i kishte falur një  shumë prej 100 Dollarë. Sipas tij bisedat në banesë, i ka  hapur Elisi, dhe ai i ka ardh thjesht pas bisedës por në to nuk ka asgjë të vërtetë. Sipas tij Elisi i imagjinonte vetë këto gjëra dhe ai thjesht i  ka  ardhur sipas avazit, në lidhje me bisedën që bënte. Ditën që kanë qenë në banesë, Elisi ka patur me vete dy telefona, nga të cilat I ka thënë se njërin ja ka  dhënë  një shok për ta rregulluar.  Ai pranon faktin që i pandehuri Etion i ka marrë përsipër të pandehurit Elis Babo, që me ndërmjetësimin e tij ky i fundit të mund të fillonte punë tek Qëndra Tregëtare Megatek, ku Etioni kishte lidhje shoqërore me menaxherin. Në lidhje me ditën kur janë shfaqur pamjet filmike, rezulton se ka qenë me Etionin. Në këtë kohë Etioni ka mësuar se kishte dalë një filmim për të, dhe është çuar për tu larguar me shpejtësi. Më pas ka parë pamjet filmike ne internet nëpërmjet  celularit të tij, dhe ka parë që në filmime ishte kushëriri  i tij Elis Babo dhe Etion Joka. Është nisur për të shkuar në Shkodër, ku nëpërmjet një taksie ka shkuar në Terminalin e Veriut që ndodhet tek Kthesa e Kamzës, dhe më pas është nisur drejt Shkodrës.

Rrugës i ka telefonuar dy herë Elisit në numrin e këtij të fundit , por telefoni dilte i fikur. Më pas I ka dërguar një sms në ëhatsapp. Në Shkodër është takuar fillimisht me motrën e tij e cila i ka dhënë dhe një aparat telefonik të ri, dhe më pas është takuar dhe me nënën e tij. Rreth orës 15;00 është nisur për në Tiranë, dhe pasi ka mbërritur në Tiranë fillimisht ka shkuar tek Selia e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim. Aty i kanë  thënë se do të asistohej nga dy avokatë, dhe se bashku me ta është paraqitur tek Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë. Në lidhje me pamjet filmike ai mendon se ato janë të katër ditëve të fundit, dhe regjistrimit janë bërë në tre episode, ku njëri është regjistruar në datën 20 Prill 2021 ditën e martë, në ambientet e apartamentit ku ai banon me  familjen e tij.

Në këtë episod sipas tij, është ambienti i sallonit të apartamentit, dhe është regjistruar biseda që ai ka bërë me kushëririn e tij Elis Babo. Në këtë bisedë ata kanë folur për zgjedhjet e datës 25 Prill 2021, por nuk bisedohet për shuma parashë dhe as për shitblerje vote. Sipas tij Elisi ka shkuar në ambientet e banesës së Edisonit në datën 20 Prill 2020, ditën e Martë paradite rreth orës 10:00-10:30, dhe në kohën që Elisi ka shkuar, Edisoni ka qenë në banesë vetëm me vajzën e tij. Elisi  i ka kërkuar Edisonit që ky i fundit ti thoshte Etionit, që Etioni ti jepte Elisit disa para borxh rreth 20.000-30.000 (tridhjetë mijë) lekë. Edisoni i ka thënë që nuk mund tia thoshtë këtë gje Etionit, pasi ai edhe për veten e tij nuk mund ti thoshte. Edisoni pranon se në lidhje me këtë episod, ai thjesht i vinte pas bisedës Elisit, dhe nuk  donte tja zgjaste shumë. Episodi i tretë duhet të jetë regjistruar në datën 22 Prill 2021, pasi në të njëjtën datë rreth orës 11:00, Elisi i ka telefonuar dhe i kishte thënë që kishte takuar Etionin dhe ky i fundit i kishte dhënë 100 dollarë. Sipas dëshmisë së Edisonit, Elisi i ka thënë Edisonit se këtë shumë parashë Etioni ia  kishte dhënë Elisit për ta ndihmuar për të blerë ushqime për familjen e tij, por Edisoni i ka thënë që ishte një veprim i turpshëm.

Sipas Edisonit në datën 20 Prill 2021 kur Elisi ka qenë në banesën e tij ka patur me vete dy telefona, ndërkohë që kur Elisi është shoqëruar nga policia gjyqësore në datën 23 Prill 2021 ai ka patur me vete vetëm një telefon, dhe në këto rrethana ai ka bindjen se regjistrimet janë bërë nga vetë Elisi. Ai vetë as i ka kërkuar ndonjë shumë parashë Etionit dhe ky i fundit as i ka premtuar. Në lidhje me bisedën në banesë, ai nuk i ka thënë Elisit që mos ti bënte ato dhe që kanë qenë biseda të gabuara, pasi nuk donte të fliste rreth kësaj dhe përpiqej ta shmangte, ndërsa me  Etionin nuk ka bërë ndonjëherë biseda për shuma parashë.

Në dëshminë e dëshmitarit Skënder Keqi, rezulton se ai njihet me të pandehurin Elis Babo. Ky i fundit e ka prezantuar me të pandehurin Etion. Me ta nuk ka bërë ndonjëherë biseda për shuma parashë, por thjesht biseda të lira për fushatën elektorale. Etioni I ka kërkuar nëse mund të votonte për të. Më pas ai është ndarë me ta. Pasi është nisur për tu larguar,  i ka telefonuar Elisi dhe e ka pyetur nëse ishte larg. Ai nuk mban mend që i pandehuri Elis ti ketë thënë ndonjëherë Skënderit, që Etioni i ka dhënë shuma parashë. Sipas tij në takimin me Etionin thjesht është diskutuar për politikë, Etioni i ka kërkuar votën, por ai nuk i ka premtuar vota Etionit.

Në lidhje me pyetjen se përse ishte i shqetësuar që të kapeshin lekë, dhe përse i ka thënë Elisit “po nëse nuk e ke kap sit ja bëjmë” ai deklaron se nuk ka dijeni për filmimet e bëra dhe për videot e transmetuara.  Në lidhje me emrin tregëtar “Keqi Group” rezulton se është një biznes në fushën e tregëtimit të tekstileve, çarçafëve, dhe e ka hapur vajza e tij Xheni Keqi. Sipas tij ajo kishte lidhje me një shtetas Italian me emrin Pietro Zaniboni. Pas Zgjedhjeve të  Përgjithshme Parlamentare që u zhvilluan në muajin Prill 2021, vajza ka filluar punë pranë Bashkisë Tiranë, me detyrën e Shefes të Personelit. Epror i drejtpërdrejtë i vajzës së tij Xheni është shtetasi Redi Molla. Po kështu vajza e tij ka qenë pjesë e stafit elektoral të deputetes Ogerta Manastirliu”, thuhet në dosje sipas burimeve të gazetares së Top Channel, Anila Hoxha.

Në kuadër të hetimit gjyqësor, është bërë administrimi i pamjeve të plota filmike nga Rrjeti Mediatik “Top Media”, është bërë kqyrja dhe transkriptimi i këtyre pamjeve, është pyetur shtetasja Olta Meshi dhe Skënder Keqi, është sekuestruar telefoni i shtetases Olta Meshi dhe është bërë ekspertimi i tij, si dhe janë administruar bisedat e zhvilluara në rrjetin social whatsApp të vëna në dispozicion i pandehuri Etion Joka, nëpërmjet mbrojtësit të tij.
Nga kqyrja e pamjeve filmike të vëna në dispozicion nga Rrjeti Mediatik Top Media, rezulton se janë në total 22(njëzetë e dy) sekuenca filmike nga të cilat 7 (shtatë) sekuenca janë filmime nga programi Q.V.R. ndërsa nga videot 8-22 janë video të administruara nga rrjeti social whatsapp pra whatsAppvideo.
Më konkretisht video Nr.8-10 shfaqen shtetasi Elis Babo, Etion Joka, Edison Babo dhe një shtetase tjetër e identifikuar më vonë si shtetasja Olta Meshi. Nga sa rezulton videot 8-22 janë bërë në datën 13 Mars 2021. Gjatë bisedës rezulton se I pandehuri Etion interesohet për ti gjetur punë të pandehurit Elis dhe konkretisht tek Qëndra Tregtare Megatek. Videot 11-13 nuk kanë të dhëna me rëndësi. Video Nr.14 që I përket datës 13 Mars 2021 diskutohet për periudhën pas zgjedhjeve, ku rezulton se shtetasi Etion Joka pas zgjedhjeve aspiron të bëhet Drejtor në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Video Nr. 15-16 vijon biseda për vende pune pas zgjedhjeve.

Në videon e parë që i përket datës 07 Prill 2021, janë të pandehurit Etion Joka dhe Elis Babo si dhe shtetasi Edison Babo duke diskutuar. Elisi i thotë Etionit që ka fol me disa pleq dhe disa njerëz të tjerë që tju japë një kafe. Po kështu Etioni i jep diçka Elisit në dorë dhe i kërkon që ti rrespektojë njerëzit. Etioni i kërkon Elisit që të ketë kujdes pasi ka kontrolle.

Në Videon e dytë që i përket datës 15 Prill 2021 janë të pandehurit Etion Joka dhe Elis Babo. Etioni i kërkon Elisit që të lëvizë pak, pra të shtoje aktivitetin per te siguaruar vota, të takojë Edisonin dhe ky i fundit ta mësojë Elisin si të veprojë.
Në videon e tretë që i përket datës 19 Prill 2021, janë shtetasit Elis Babo dhe Edison Babo duke diskutuar në një banesë. Në këtë bisedë diskutojnë se sa vota mund të sigurojnë sejcili dhe bisedat që kanë zhvilluar me persona të tretë. Edisoni i tregon Elisit, se Etionin e ka prezantuar me persona të tretë të cilët mund të sigurojnë nëpërmjet influences së tyre vota për Etionin.

Në videon e katërt që i përket datës 19 Prill 2021 janë shtetasit Elis Babo dhe Edison Babo, duke diskutuar me njëri tjetrin në një banesë. Rezulton se bisedojnë për ditën e zgjedhjeve. Nga biseda rezulton se të dy këta shtetas ditën e zgjedhjeve, do të shoqërojnë me automjet qytetarët në qëndrat e votimit për të votuar. Edisoni shprehet se do ti thonë Etionit 3.000 (tre mijë) lekë për votë (në bisedë flitet për 30.000 (tridhjetë mijë) lekë, pra jo me monedhën zyrtare),ndërsa qytetarëve do tu japin vetëm nga 1.000 (njëmijë) lekë dhe pjesën tjetër nga shuma 3.000 (tre mijë) lekë do ta mbajnë për vete. Sipas tyre shumat e parave në këmbim të votës do tu afrohen personave vulnerabël.

Në videon e pestë që i përket datës 19 Prill 2021, janë shtetasit Elis Babo dhe Edison Babo duke diskutuar me njëri tjetrin në banesë. Nga biseda rezulton se përfaqësues të forcave politike, ju japin zgjedhësve shuma deri në tre mijë lekë në këmbim të votës. Po kështu diskutojnë që nëse gjerat do të shkojnë mirë, në Muajin Shtator mund të fillojnë punë në Policinë Bashkiake ose tek Ujësjellësi, pasi në Shtator do të ketë zgjedhje për pushtetin vendor.
Në videon e gjashtë që i përket datës 19 Prill 2021, janë shtetasit Elis Babo dhe Edison Babo, duke diskutuar me njëri tjetrin në banesë. Ndër të tjera në këtë bisedë flitet për shuma parshë që do të marrin nga Etioni me qëllim për të paguar kafet në të cilat ftojnë qytetarët për kafe. Aty qytetarëve do tu bëhet propagandë, me qëllim kërkimin e votës prej tyre, për të votuar në një mënyrë të caktuar. Sipas Edisonit, Etioni ju ka thënë që të dielën do t’ju çojnë lekët votuesve dhe do ti shoqërojnë edhe për të votuar.

Në videon e shtatë që i përket datës 22 Prill 2021, rezulton të jenë të pandehurit Elis Babo, Etion Joka dhe një qytetar tjetër që nga biseda duket që e ka sjellë Elisi për ta prezantuar me Etionin. Pasi largohet qytetari, Elisi i jep Etionit një liste dhe e siguron që edhe bashkëshortja e tij kishte bërë disa vota tek puna. Etioni i jep Elisit diçka, një shumë parashë, pasi sigurohet që rreth e rrotull nuk ka patur njeri. Më pas filmohet sendi që Etioni i ka dhënë Elisit që është një kartmonedhë prerje 100 (njëqind) Dollarë, për ti patur për këto ditë. Pasi ndahen Elisi merr ne telefon dike dhe i thotë që e ka filmuar dhe dorën dhe lekët. Më pas takohet me një shtetas tjetër që nga hetimi rezulton të jetë shtetasi Skënder Keqi, dhe i jep telefonin me të cilin ka regjistruar”, thuhet në dosje sipas burimeve të  Anila Hoxhës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA