Dy javë pasi Shqipëria ra prej e sulmit kibernetik, zv.Kryeministrja, Belinda Balluku, drejtorja e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj dhe përfaqësuesi i skuadrës speciale të Microsoft për sigurinë kibernetike, Kevin Chin, në një konferencë për mediet treguan detaje lidhur me sulmin masiv ndaj sistemeve dhe punën e bërë për rikthimin në normalitet të shërbimeve.
Sipas drejtoreshës së AKSHI-t, qëllimi i vërtetë i sulmit ishte fshirja e të dhënave.
“Zakonisht sulme të tilla ndodhin për të kërkuar më para para, por në këtë rast, objektivi i vërtetë i sulmit ishte fshirja e të dhënave”.
Megjithatë, shton Karçanaj, nuk ka pasur humbje të dhënash pasi u ndërhy në kohë nga ekipet.
“Falë reagimit të shpejtë nuk pati humbje të dhënash pavarësisht se ishte një shkalle të lartë, u krye izolimi i menjëhershëm duke zbatuar protokollet deri në vlerësimin dhe analizën e plotë të situatës. Sistemet u verifikuan 1 nga 1″– tha Karçanaj.
Drejtoresha e AKSH-t informoi lidhur me sistemet të cilat tashmë janë funksionale, ku tha se tashmë mbi 98% e shërbimeve online janë funksionale. Ajo përmendi edhe faqet të cilat u sulmuan dhe tashmë janë funksionale, ndërsa për platformën e-Abania tha se janë funksionale 1202 shërbime.
“Falë bashkëpunimit me partnerët dhe punës së madhe nga stafi i AKSHI-t kemi këtë status, faqet zyrtare të ministrive dhe sistemi i fiskalizimit u kthyen në punë brenda 12 orësh. Mbi 98% e shërbimeve online janë funksionale. Drejtoria e përgjithshme e transportit rrugor, Fondi i sigurimit, Agjencia e Barnave, mbi 98% të shërbimeve online janë tashmë funksionale. E-albania është kthyer për 1202 shërbime. Të vetmet që po punohet ende është njehsimi i diplomave dhe lëshimi i certifikatave, lista e notës dhe vërtetimi i i diplomës, kryerja e pagesës së ujit dhe energjisë elektrike”, tha Karçanaj.
Në deklaratën për mediet, edhe zëvendës/kryeministrja Belinda Balluku tha se sistemet po kthehen të gjitha në normalitet, ndërsa tha se FBI po merret me hetimet.
“Ditën e djeshme ka pasur një takim tjetër të komitetit për mbrojtjen kibernetike. Janë marrë dhe vendime që do të zbatojmë në të ardhmen.
Duhet përmendur dhe përfshirja e FBI-së duke na dhënë mbështetje, apo dhe skuadrave të tjera inteligjente. Falenderojmë dhe punonjësit e administratës”.
Goditja që kanë pësuar faqet qeveritare ka qenë e madhe, shpjegon Balluku.
“Ka qenë një nga luftërat më masive për sa i përket dhe shkallës së goditjes që kemi pasur. Ka qenë e lartë, por dhe për shkak të përgatitjes së stafeve të AKSHI dhe punonjësve të tjerëve, që u morën me një luftë me të cilën do të mësohemi”.
Një ekip i skuadrës Microsoft ndodhet prej disa ditësh në Shqipëri për të ndihmuar në rikthimin në normalitet të portalit e-Albania dhe faqeve të tjera qeveritare. Kevin Cen, drejtues skuadre në kompaninë DART, thotë se është mobilizuar njësia e reagimit dhe “do të vazhdojmë të ndihmojmë qeverinë shqiptare te rikuperohet nga ky sulm kibernetik”.
Top Channel