Shumica Socialiste çon në kuvend projektligjin e propozuar nga autoriteti dosjeve përmes të cilit synohet ndryshimi ligjit aktual duke i hapur rrugë bërjes publike të emrave të politikanëve që kanë bashkëpunuar apo janë rekrutuar nga ish sigurimi shtetit.
Detajet i dha kryetarja e komisionit parlamentar të ligjeve Klotilda Bushka.
“Rastet flagrante dhe shqetësuese të pasqyruara në shkresën informuese të Autoritetit drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, ku figura të rëndësishme të shtetit të pajisur me Certifikatën e pastërtisë së figurës në fakt rezultojnë në dokumentat e krijuara të ish-Sigurimit të Shtetit, kërkojnë një adresim dhe reagim të menjëhershëm. Transparencë e plotë për këto raste duhet të kryhet dhe pengesat apo boshllëqet në legjislacionin ekzistues duhet të adresohen me qëllim zbardhjen e të vërtetës sipas vlerave demokratike të drejtësisë si përgjegjësi për brezat e ardhshëm por mbi të gjitha detyrim për ata që vuajtën nën regjimin e kaluar”, tha Klotilda Bushka.
Këto nisma ligjore sipas zonjës Ferhati krijojnë shtratin ligjor për verifikimin e subjekteve pavarësisht nëse kanë ose jo një certifikatë të mëparshme pastërtie.
“Zbardhja e të vërtetës për personat që ushtrojnë detyra shtetërore, mbi të gjitha për ata persona që kanë pasur dhe kanë detyra të larta shtetërore është një domosdoshmëri dhe një simbolikë e fuqishme për të dënuar krimet e të kaluarës por padyshim në funksion të së tashmes për krijimin e një shoqërie të bazuar në parimet dhe vlerat demokratike”, tha Klotilda Bushka.
Përmes Kreshnik Çollakut grupi deputetëve të Enkelejd Alibeajt depozituan një nismë ligjore për që synon dekomunistizimin e plotë të vendit dhe ndarjen një herë e mirë nga e kaluara komuniste.
Kreshnik Çollaku theksoi se e drejta për t’u informuar të mos kufizohet vetëm tek të prekurit, por edhe çdo qytetar tjetër i interesuar.
“Për Partinë Demokratike, kjo nuk ka qenë dhe nuk është një çështje emrash, por parimesh dhe standardesh. Ne jemi të vendosur për transparencë të plotë të dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, dhe krahas dy nismave të depozituara, Partia Demokratike ka gati projektligjin për dekomunistizimin e simbolikave të diktaturës komuniste, ndërsa rrethanat diktojnë domosdoshmërinë e një nismë gjithë-përfshirë për pastrimin e plotë të administratës shtetërore dhe funksioneve të larta publike nga çdo person i lidhur me Sigurimin e Shtetit”, tha Kreshnik Çollaku.
Top Channel