
Fermerët në Holandë po shprehin prej më se një muaji zemërimin e tyre për masat e qeverisë ndaj ‘ndotjes së azotit’ me anë të reduktimeve madhore të numrit të derrave, bagëtive dhe pulave.
Në rrugët e urat holandeze njerëzit po varin flamurin kombëtar së prapthi për të shprehur solidaritetin me fermerët, të cilëve u kërkohet të reduktojnë me 30 përqind numrin e kafshëve për të arritur objektivat e vendosura nga qeveria.
Javët e fundit ata në numra të mëdhenj kanë bllokuar qendrat e shpërndarjes dhe rrugët me traktorë, si dhe kanë protestuar para bashkive lokale dhe shtëpive të ministrave, shkruan britanikja The Guardian.
“Kjo nuk është më demokraci: është diktaturë,” tha Jeroen van Maanen, fermer me 130 lopë në Zeewolde, në Holandën qendrore, i cili është bashkuar me protestën.
Sipas zyrtarëve, amuniaku i lëshuar nga bajgat e urina e kafshëve hyn në liqene dhe mund të dëmtojë habitatet natyrale, në vendin me popullsinë e shtatë më të madhe të kafshëve në Evropë.
Van Maanen shtonte se fermerët po shënjestrohen padrejtësisht: “Nëse na godisni ne e familjet tona, godisni shpirtin e fermerit. Ne kemi propozuar shumë zgjidhje por ata i njorojnë, dhe më në fund dalin me idenë e reduktimit të bagëtive, prandaj kjo është shumë emocionale për ne”.
Deri tani koalicioni qeveritar nuk është stepur prej protestave. Zëdhënësi i ministrisë së bujqësisë Rudi Buis, tha: “Ky problem nuk largohet, edhe nëse dëshiron të ndërtosh një shtëpi apo një rrugë duhet të reduktosh azotin për të marrë liçencën. Duhet të bëhet”.
Në dokumente të publikuara dje ministria holandeze e financave sugjeronte se të paktën gjysma e fermerëve gjysma e fermerëve duhet të mbyllnin ose reduktonin aktivitetin.
Rrjeti Financieele Dagblad, raportonte se planet e qeverisë në fakt prekin pesë herë më shumë fermerë nga sa është e nevojshme.
Sindikata e fermerëve ka refuzuar të diskutojë me një negociator të qeverisë. Zëdhënsi Wytse Sonnema, tha: “Një reduktim i tillë deri në 2030 është i paarritshëm dhe do të kishte efekt shkatërrimtar te bujqësia dhe gjithashtu te ekonomia, te gjendja shoqërore e kulturore e pjesës rurale të Holandës”.
Top Channel