Bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit? Meta: Do mbajnë përgjegjësi ligjore dhe personale personat e përfshirë

29/07/2022 13:36

Ish-presidenti Ilir Meta foli prerë gjatë komunikimit me gazetarët këtë të premte në lidhje me debatin se politikani I.M. pjesë e dosjeve të ish-Sigurimi të  Shtetit në kohën e komunizmit ishte ai.

Ai u shpreh se të gjithë personat e përfshirë në këtë skenar do të mbajnë përgjegjësi ligjore dhe personale, duke nisur nga Autoriteti i Dosjeve.

Meta: Jam i sigurt që qëndrimi edhe i deputetëve të Partisë së Lirisë, ka qenë dhe do të jetë transparencë e plotë për cilindo që ka qenë bashkëpunëtor i shtetit i favorizuar apo gjithçka tjetër dhe absolutisht që Partia e Lirisë është në krye të betejës për të shembur këtë sistem të kalbur të shantazhit që për të spostuar vëmendjen nga grabitja e llahtarshme që po i bëhet vendit.

Është një përgjegjësi e madhe e Autoritetit tashmë të konfirmuar si  manipulim kriminal të dosjeve që po qarkullojnë emra në publik të cilët dikur kanë qenë 19 vjeç dhe sot i kanë nga 20 vjeç fëmijët e tyre sepse Autoriteti është një institucion që jo vetëm duhet të zbatojë ligjin por duhet të kujdeset që të mos rilëndohen viktimat e asaj periudhe për shkak të Sigurimit të Shtetit. Autoriteti e di më mirë se kushdo që Ilir Rexhep Metaj jo vetëm që s’ka qenë bashkëpunëtor i shtetit se kjo është vërtetuar që në kohën e të madhërishmit Sali Berisha. E dinë shumë mirë se kush ka qenë bashkëpunëtori në rastin konkret sepse ndodhet në dy dosje.

Meta: Ashtu sikurse ata që e kanë orkestruar këtë skenar, e dinë se s’kam jetuar ndonjëherë në konvikt dhe s kam pasur mundësi të spiunoj ndonjë shok. Që 1 vjec ka ardhur në Tiranë dhe nuk ka jetuar asnjë ditë në konvikt. I ndjekuri i cili është ndaluar dhe kërcënuar nga sigurimi këtë çështje nuk e ka diskutuar asnjëherë me ilir Metën, se Ilir Meta s’kishte plan të arratisej. Autoriteti i di këto shumë mirë. Autoriteti do mbajë përgjegjësi ligjore për këtë shkelje të rëndë që ka bërë. Do mbajnë edhe përgjegjësi individuale personat e përfshirë, dhe ne i dimë shumë mirë kush. Autoritet e kishte shumë të lehtë, sepse Ilir Meta në çdo rast ka firmosur një kërkesë për t’u verifikuar dhe ka bërë të qartë se nuk ka qenë  bashkëpunëtor I Sigurimit dhe Autoriteti kishte të drejtë ta padiste Metën për mashtrim. Ky rast tregon se sa kriminale është banda në pushtet.

Kujtojmë se para disa ditësh, Autoriteti i Dosjeve përmes një postimi dha informacion se politikani i nivelit të lartë I.M. është pjesë e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit në kohën e komunizmit.

Pas spekulimeve se ish-presidenti Ilir Meta është politikani me inicialet I.M që ka rezultuar pjesë e dosjeve sekrete të ish-Sigurimit të Shtetit, institucioni theksoi se të gjithë të interesuarit duhet të të ndjekin rrugën ligjore për informim mbi këtë çështje, duke shtuar se të drejtën e informimit për dosje të ish-Sigurimit të Shtetit mund ta ushtrojë çdo palë e prekur apo e përmendur.

Ilir Meta mohoi pretendimet se ai është politikani me inicialet I.M që ka rezultuar pjesë e dosjeve sekrete të ish-Sigurimit të Shtetit.

Ai sfidoi Autoritetin e Dosjeve që të bëjë publike dokumentet, ndërsa duke u kthyer pas në të shkuarën e tij Ilir Meta kujtoi se në Fakultetin Ekonomik ku ai ka kryer studimet ishin me dhjetëra studentë me të njëjtat inciale, madje edhe një shoku tij i klasës kishte të njëjtin emër dhe mbiemër.

Ilir Meta e cilësoi lojë politike, ndërsa sulmoi ashpër Autoritetin e Dosjeve duke e akuzuar për falsifikim të dokumenteve, pasi sipas tij prej vitit ‘92 ai është nënshtruar të gjitha verifikimeve dhe e shkuara e tij ka dalë e pastër.

Për njollosjen e emrit nuk do i drejtohet drejtësisë ndërsa thotë se nuk ka marrë asnjë dokument nga Autoriteti i Dosjeve dhe as nga kryetarja e Kuvendit për të cilën tregoi se i ka humbur respekti.

Autoriteti i Dosjeve është në pritje të ndryshimeve ligjore të propozuara, për të kryer kërkimet dhe verifikimet përkatëse për rastet, duke theksuar se rastet e referuara Kuvendit nuk janë objekt verifikimi, për shkak të pengesës ligjore.

Në vendin tonë sipas ligjit ndalohet marrja e një detyre publike nga ish bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit vetëm për drejtuesit e organeve të reja të drejtësisë. Nëse shumica socialiste do të hartojë  një projektligj të ri që do të ndalonte kandidimin e politikanëve bashkëpunëtor të ish-sigurimit do t’i duhen 84 vota bashkë me një ndryshim kushtetues.

 

Top Channel