Në pamjet e rënda shihej sot tymi i ngritur prej vatrave të shumëfishta e të pashpjegueshme të zjarreve në Hřensko, bashkia e Republikës Çeke në kufirin verior me Gjermaninë.
Zjarret po djegin Parkun Kombëtar çek Bohemian ku temperaturat u rritën ndjeshëm ditët e fundit. Zjarrfikësat çekë thonë se ka ende shumë punë për të bërë.
Zjarri në rajonin e quajtur “Zvicra Bohemiane” në anën çeke dhe parku kombëtar i Saksonisë Zvicerane në pjesën gjermane, shpërtheu në fundjavë e dukej se ishte nën kontroll, por u përhap çuditërisht përsëri të enjten herët.
Qindra zjarrfikës në të dyja anët e kufirit dhe me ndihmën e Polonisë dhe Sllovakisë fqinje po luftojnë me flakët ndërsa autoritetet lokale paralajmëruan turistët të qëndronin larg.
Rreth 250 hektarë pyje aktualisht po digjen ndërsa 8 helikopterë zjarrfikës po ndihmojnë në shuarjen e flakëve.
Një tjetër zjarr i madh pyjor në qarkun Elbe-Elster në shtetin lindor gjerman të Brandenburgut mori hov sërish të mërkurën në mbrëmje.
Ministri gjerman i Bujqësisë, Cem Özdemir të mërkurën mbrëma tha se qeveria do të ndihmojë në luftën kundër zjarreve dhe përgëzoi shërbimet që po punojnë për shuarjen e tyre.
Top Channel