Në fillim mediat e Maqedonisë së Veriut e më pas ato greke kanë mbuluar gjerësisht lajmin se dhjetëra automjete me targa të Maqedonisë së Veriut kanë pësuar dëmtime në zonën turistike të Halkidikisë dhe më konkretisht në Kallithea dhe Afitos.

Në një reportazh të portalit informativ “Faktor”, nën titullin “Xhama të thyer dhe goma të shpuara tek makinat me targa të Maqedonisë së Veriut në Kallithea – Nuk dimë si do ta kalojmë natën”, e cila është riprodhuar nga një pjesë e madhe e mediave të fqinjit verior të Greqisë , publikohen fotografi nga lexuesit e faqes (foto të dy automjeteve me targa nga Manastiri- Bitola) të cilat paraqesin xhamat e thyer dhe gomat e shpuara të automjeteve me targa të Maqedonisë së Veriut në zonën turistike të Kallitheas, në këmbën e parë të Halkidikisë, ku shtetas maqedonas kalonjnë pushimet verore.

Sipas informacioneve të cituar nga “Faktor”, kjo ngjarje është denoncuar në komisariatin e Kasandrës, por policia greke ende nuk ka filluar hetimet. Po ashtu, pronarët e automjeteve të dëmtuara kanë thënë për “Faktor” se ndihen të kërcënuar dhe se kanë frikë se mos përjetojnë incidente të ngjashme.

Sipas njoftimeve të fundit, janë mbi 20 automjete me targa të Maqedonisë së Veriut që janë dëmtuar.

Një shtetas tjetër nga Maqedonia e Veriut ka deklaruar për “Nova Makedonija” se në të njëjtin vend në Halkidiki, automjetit të tij i ishin ngjitur afishe me përmbajtje poshtëruese që shkruanin “Ju nuk jeni maqedonas. Ju jeni sllavë = Vardarska. Maqedonia është greke”. Në një afishe tjetër, ka qënë një majmun i pikturuar në majë të flamurit maqedonas me mbishkrimin “Mankidonia”.

Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Athinë dhe konsullata e përgjithshme e vendit në Selanik kanë kontaktuar autoritetet përkatëse greke pas ankesave për dëmtime të gjashtë automjeteve të dëmtuara me xhamat e thyer.

Gjithashtu edhe ministria e Jashtme në Shkup është në pritje të informacioneve zyrtare me detaje të rastit për të vlerësuar reagimin e duhur.

“Ju informojmë se pas marrjes së ankesave për incidente me automjete të dëmtuara në Greqi, ambasada në Athinë dhe konsullata e përgjithshme në Selanik kanë kontaktuar menjëherë me autoritetet përkatëse. Sipas diskutimeve fillestare, ka konfirmim nga stacioni përkatës i policisë në Kasandra për gjithsej gjashtë automjete të dëmtuara të raportuara me targa të automjeteve nga Maqedonia e Veriut të cilave u janë thyer xhamat. Autoritetet tona diplomatike dhe konsullore në Greqi janë në pritje të informacioneve zyrtare, me detaje rreth rasteve, pas të cilave ministria do të procedojë në reagimin e duhur”, kanë thënë për gazetën “Nova Makedonija” MJ e Maqedonisë së Veriut.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel